Ndërtime pa leje dhe shpërdorim detyre/ Arrestohen policë, inspektorë dhe biznesmenë në Sarandë
Dritare.net

Prokuroria e Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurie në kuadër të një hetimi për ndërtime pa leje dhe shpërdorim detyre, ku të përfshirë rezultojnë punonjës policie, oficerë, inspektorë të territorit dhe biznesmenë në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie është edhe kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, Eduart Veliu.
Në listën e të proceduarve përfshihet edhe biznesmeni Alqi Papa, i lidhur me objektin “Oaz”, si dhe Irakli Kociu, oficer policie. Ndërkohë, është arrestuar Kristofor Shkrepa, specialist policie në Ksamil, ndërsa ndaj Kastriot Satkës është caktuar masa “arrest në burg”.
Masë sigurie është vendosur edhe për biznesmenët Arjola Dhrami dhe Xhaferr Bajo, lidhur me një objekt ndërtimi për të cilin më herët u arrestuan katër efektivë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe ish-shefi i Policisë së Sarandës.
Në hetim është përfshirë edhe ndërtuesi Merdar Koshi, i dyshuar për ndërtimin e dy kateve pa leje në qendër të Sarandës.
Burime hetimore bëjnë me dije se çështja lidhet me arrestimet e mëparshme të zyrtarëve të Policisë së Sarandës dhe dyshimet për lejim të ndërtimeve të paligjshme në këmbim të favorizimeve./K.C/dritare.net