Na ndiqni edhe në

Shqip

Unë, i burgosuri i Jugosllavisë! Haki Morina rrëfen arrestimet, torturat dhe arratisjen në Shqipëri

Unë, i burgosuri i Jugosllavisë! Haki Morina rrëfen arrestimet,

I burgosur politik që në moshën 17-vjeçare, i përndjekur nga UDB-ja dhe më pas i arratisur drejt Shqipërisë, Haki Morina ka rrëfyer historinë e tij personale dhe politike në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV.

Sot kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, Morina tregoi se aktivitetin kundër Jugosllavisë e kishte nisur që fëmijë, i ndikuar nga familja dhe klima politike e kohës. Ai kujtoi momentin kur, ende nxënës shkolle, shkroi parulla kundër Jugosllavisë dhe Titos.

“Shkrova: "Poshtë Jugosllavia, poshtë Tito, rroftë Shqipëria." Pas pak ditësh u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme në fshat dhe dyshonin te vëllai im i madh”, rrëfeu ai.

Morina tregoi se më vonë u përfshi në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe për këtë arsye u arrestua dhe u burgos disa herë nga autoritetet jugosllave.

“Jam arrestuar në moshën 17-vjeçare. Kam qëndruar në izolim, kam përjetuar tortura të rënda dhe më pas jam dënuar me shtatë vite burg”, tha ai gjatë intervistës.

Ai kujtoi edhe arratisjen drejt Shqipërisë, duke treguar se ishte paralajmëruar se nëse arrestohej sërish “nuk do të dilte i gjallë”.

“Nga burgu mora informacion se kësaj here nuk do të shpëtoja gjallë. I lashë shokëve të mi gjithë lidhjet organizative dhe u nisa për Shqipëri”, u shpreh Morina.

Në rrëfimin e tij, ai foli edhe për periudhën kur jetoi në Shqipëri pas viteve ’90, duke zbuluar se kishte qenë pjesë e organizimit të forumit rinor të Partisë Socialiste.

“Kam hyrë pa asnjë kompleks në zyrat e Partisë Socialiste dhe kam ndihmuar në krijimin e organizimit rinor.”, tha ai.

Gjatë intervistës, kandidati i PDK-së komentoi edhe situatën politike në Kosovë dhe raportet mes partive politike. Ai kritikoi qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se po kërkon pushtet të pakufizuar.

“Vetëvendosja ka shkuar në kulmin e konceptit makiavelist të qeverisjes. Qëllimi arsyeton mjetin dhe nuk zgjidhet asnjë mjet për të mbajtur pushtetin”, deklaroi ai.

Morina mbrojti gjithashtu figurat historike të UÇK-së, duke përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli.

“Hashim Thaçi është figurë historike dhe simbol i PDK-së. Vetëm ai mund ta realizojë unitetin e brendshëm në parti”, tha Morina.

Në fund të intervistës, Morina u ndal edhe tek ideja e bashkimit kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke u shprehur i bindur se një ditë kjo do të ndodhë.

“Askush nuk bashkohet vetëm pse e do Shqipërinë apo Kosovën. Bashkimi vjen nga interesi ekonomik, kulturor dhe kombëtar.”, deklaroi ai./K.C/dritare.net