Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braçe ngre alarmin: Ku shkon gjithë ai qumësht pluhur që vjen në doganë? Unë e kam listën!

Braçe ngre alarmin: Ku shkon gjithë ai qumësht pluhur që

Në një deklaratë të fortë gjatë emisionit “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në Dritare TV, deputeti socialist Erion Braçe ngriti alarmin për sigurinë ushqimore dhe mungesën e kontrollit nga institucionet përgjegjëse ndaj industrisë së përpunimit të qumështit në Shqipëri.

Braçe vuri në pikëpyetje transparencën e proceseve në fabrikat e mëdha të përpunimit të qumështit, duke ngritur disa çështje serioze:

“A është kërkuar ndonjëherë autofaturë në këto fabrika? A është bërë ndonjëherë verifikimi i sasisë së qumështit që hyn dhe produktit që del prej andej?”, pyeti ai me ton kritik.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e gjurmueshmërisë nga autoritetet tatimore dhe AKU për produktet e importuara si qumështi pluhur dhe vaji i palmës:

“Ku shkon vaji i palmës dhe qumështi pluhur që hyn në doganë? A i ka gjurmuar ndonjëherë tatimet, përveç kur isha unë zëvendëskryeministër dhe i detyrova ta bënin?”

Braçe paralajmëroi se nëse nuk merren masa, do të publikojë një listë me etiketat e miratuara nga AKU që tregojnë përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës në produkte të përpunuara.

“Sepse nuk janë baxhot, ata që mbledhin qumësht nga fermerët e fshatrave, që cenojnë sigurinë ushqimore. E dini kush janë? Janë fabrikat e mëdha!

Unë kam një listë të etiketave të miratuara nga AKU për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës? Dhe po vazhdoi kjo histori do publikoj listën”, u shpreh ai me tone të ashpra.

Deklaratat e Braçes vijnë në një moment kur shqetësimet për cilësinë e ushqimeve dhe mungesën e kontrollit të produkteve të importuara janë në rritje. Kjo ndërhyrje mund të risjellë në vëmendje nevojën për hetime serioze dhe transparencë më të madhe në sektorin e përpunimit ushqimor në vend./L.F-dritare.net