
Trump kërkon dëshminë e Ghislaine Maxwell. A do zbulohet më në fund rrjeti i Epstein?!
Dritare.net
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se është “e përshtatshme” që Departamenti Amerikan i Drejtësisë të kontaktojë Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e dënuar të Jeffrey Epstein, në kuadër të një hetimi të ri mbi abuzimet seksuale dhe rrjetin e trafikimit të të miturve që përfshin figura të fuqishme të jetës politike dhe ekonomike.
Deklarata e Trump-it vjen mes një vale të re presioni publik dhe politik që kërkon zbardhjen e të gjithë rrjetit të përfshirë në rastin Epstein, pas një memorandumi të Departamentit të Drejtësisë më herët këtë muaj, ku u pohua se nuk kishte prova të reja apo një “listë klientësh” për t’u hetuar, një qëndrim që shkaktoi zemërim të madh, veçanërisht mes bazës së djathtë konservatore.
Trump tha për gazetarët se “nuk ishte në dijeni” të iniciativës së DOJ-së, por e cilësoi atë si një hap të drejtë. “Nëse Ghislaine Maxwell ka informacion, duhet të flasë. Është e përshtatshme që drejtësia ta kontaktojë. Por unë nuk e dija që kjo po ndodhte,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se ka kontaktuar avokatët e Maxwell dhe po përgatitet për një intervistë me të, për të përcaktuar nëse ajo do të bashkëpunojë për të zbardhur më tej të kaluarën kriminale të rrjetit Epstein. Intervista pritet të ndodhë brenda ditëve në vijim.
Kongresi në bllokim për shkak të çështjes Epstein
Në Dhomën e Përfaqësuesve është krijuar një përplasje politike për shkak të një projekt-rezolute që kërkonte zbardhjen e dokumenteve të mbyllura që lidhen me rrjetin Epstein. Për të shmangur tensionet dhe votimin e mundshëm, kryetari i Dhomës, republikani Mike Johnson, vendosi që pushimet e gushtit të nisin një ditë më herët.
Sipas burimeve nga brenda Partisë Republikane, Johnson argumentoi në mbledhje të mbyllura se administrata ka nevojë për kohë për të menaxhuar me kujdes çështjen dhe se çdo nxitim për votime “mund të dëmtojë procesin hetimor."
Ky veprim është kritikuar nga demokratët dhe disa republikanë që kërkojnë më shumë transparencë. Aktiviteti legjislativ në Dhomë është bllokuar praktikisht për shkak të kësaj përplasjeje.
DOJ kërkon të heqë sekretin mbi transkriptet
Në një zhvillim paralel, Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykate federale të lejojë heqjen e konfidencialitetit mbi disa transkripte të një jurie të madhe (grand jury) që kanë të bëjnë me hetimet e mëparshme ndaj Epstein. Afati për përgjigje nga pala mbrojtëse dhe përfaqësuesit e viktimave është caktuar deri më 5 gusht.
Në të njëjtën kohë, DOJ ka premtuar se do të vlerësojë çdo provë të re që mund të dalë nga intervista me Maxwell, dhe se qëllimi është “të zbardhet e vërteta për të gjithë ata që janë përfshirë.”
Rasti Epstein ka vijuar të trazojë politikën amerikane edhe pas vdekjes së tij në burg më 2019, duke nxitur teoritë konspirative, kërkesat për transparencë dhe tensione të forta institucionale. Emra të njohur nga bota e politikës, biznesit dhe monarkisë janë përmendur si të lidhur me rrjetin e tij, ndërkohë që shumë dokumente qëndrojnë ende të klasifikuara./K.C/dritare.net

















