
Zeqir Kordhoni nuk do jetë në Parlament. Shabani: Ja kush do të hyjë në vend të tij!
Dritare.net
Në intervistën e dhënë për emisionin Dekalog me Roland Qafokun në DritareTV, Endri Shabani sqaroi një nga pikat më të debatueshme të krizës në koalicionin “Shqipëria Bëhet”, që lidhet me listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë.
I pyetur nga gazetari Qafoku nëse daja i tij, Zeqir Kordhoni, do të jetë në Parlament, Shabani u përgjigj prerazi:
“Jo. Ai nuk do të jetë në Parlament, ai nuk ka dashur të shkojë . Nuk i përket këtij misioni. Ai ka synuar të detyrojë Lapajn të mbajë fjalën që i ka dhënë elektoratit”
Në vend të tij, sipas Shabanit, mandatin e deputetes do ta marrë Kleana Xhuveli, motra e Adriatik Lapajt, një tjetër figurë e njohur e koalicionit.
“Aktualisht është Kleana Xhuveli ajo që do të marrë mandatin, për sa kohë nuk jep dorëheqjen,” tha Shabani.
Ai shtoi se i ka kërkuar publikisht Adriatikut të zbatojë marrëveshjen, për listën e mbyllur, ku kandidatët formalë do të dorëhiqeshin pas zgjedhjeve për t’i lënë vendin emrave që merrnin më shumë vota nga lista e hapur.
“Ne duam të respektojmë listën e hapur. Kjo ka qenë fryma e marrëveshjes dhe ajo për të cilën kemi marrë besimin e qytetarëve,” theksoi Shabani.
Kjo deklaratë vjen në një moment delikat për koalicionin “Shqipëria Bëhet”, i përfshirë në një krizë të thellë për shkak të mosrespektimit të dakordësive të brendshme dhe përplasjes së hapur midis dy figurave kryesore, Shabani dhe Lapaj./K.C/dritare.net

















