Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braçe reagon ashpër pas sekuestrimit të 33.000 kg djathë në Divjakë: Nuk është siguri ushqimore, është varrosje e një punëtori!

Braçe reagon ashpër pas sekuestrimit të 33.000 kg djathë

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër në emisinin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV pas një aksioni të zhvilluar nga administrata tatimore dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në një baxho të vogël në fshatin Zharnec të Divjakës. Objekt kontrolli ka qenë baxhoja e Tan Mebellit, ku autoritetet kanë sekuestruar 33 mijë kilogramë djathë, prodhim i muajve të fundit për sezonin turistik, dhe kanë vendosur një gjobë në vlerën e 40 milionë lekëve.

Deputeti socialist tha se situata është thellësisht e padrejtë dhe tregon për një sistem që godet prodhuesit e ndershëm.

"Jam shumë i prekur dhe më bie mua barra të flas, sepse atje nuk e hap njeri gojën. Askush nuk ka vënë në dyshim faktin që djathi i tij është qumësht safi", deklaroi Braçe.

Ai sqaroi se arsyeja e sekuestrimit nuk lidhet me cilësinë apo sigurinë ushqimore të produktit, por me mungesën e autofaturës që dëshmon blerjen e qumështit nga fermerët lokalë.

"I kanë kërkuar autofaturën me të cilën ka blerë qumështin e fermerit. Atë që ekzaktësisht është problemi! Nuk është sekuestruar djathi sepse është i dëmshëm se mund të ketë qumësht pluhur. I është sekuestruar 33 mijë kg djathë për mungesë të një dokumenti, një fature që askush në këtë sistem nuk e ka. Dhe për ta varrosur deri në fund, i kanë vënë edhe 40 milionë lekë gjobë," tha Braçe.

Deputeti theksoi se kjo situatë nuk do të ndodhte me fabrikat e mëdha të përpunimit të qumështit, të cilat sipas tij funksionojnë mbi baza të tjera dhe shpesh përfitojnë nga skemat fiskale pa u penalizuar.

Braçe ka kritikuar ashpër strukturat tatimore dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, duke i akuzuar për goditje selektive ndaj prodhuesve të vegjël dhe për moszbatimin e njëtrajtshëm të ligjit në të gjithë zinxhirin e përpunimit të ushqimit./L.F-dritare.net