
Kryeministri Rama: Nuk legalizohet asnjë ndërtim pas vitit 2020
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralajmërim të qartë në lidhje me ndërtimet pa leje, duke theksuar se asnjë objekt i ndërtuar pas vitit 2020 për qëllime përfitimi nuk do të legalizohet. Në një takim me deputetët dhe drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, ai deklaroi se procesi i legalizimeve ka përfunduar ligjërisht në vitin 2020 dhe çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë afat është e pavlefshme.
“Legalizimi është një terminologji abuzive e përdorur nga individë apo subjekte që, për qëllime fitimi, zënë hapësira publike dhe më pas bëjnë vetëdeklarime për të hyrë në proces legalizimi,” u shpreh Rama. Ai theksoi se të gjitha vetëdeklarimet për godina apo ndërtime të ngritura me qëllim fitimi do të konsiderohen të pavlefshme dhe nuk do të marrin asnjë formë njohjeje ligjore.
Kryeministri sqaroi se ky vendim nuk ka të bëjë me familjet që kanë ndërtuar një shtëpi për strehim, por me abuzuesit që kërkojnë të përfitojnë përmes ndërtimit të paligjshëm. “Interesi publik do të prevalojë në çdo rast ku nevojitet ndërhyrje, dhe askush nuk mund të nxjerrë një copë letër për të thënë ‘jam në proces’,” përfundoi Rama./K.C/dritare.net

















