
A do të bëhet ministër Bujqësie? Përgjigjet Erion Braçe!
Dritare.net
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV tregoi arsyet përse nuk dëshiron të marrë postin e ministrit të Bujqësisë. Ai tha se problemi i sigurisë ushqimore në vend është i thellë dhe i lënë pas dore, ndërsa përgjegjësitë për këtë çështje nuk i përkasin vetëm institucioneve kontrolluese, por duhet të mbështeten nga politika fiskale dhe financiare.
Pyetjes së gazeztarit Qafoku nëse do ta merrte përsipër të bëhet ministër Bujqësie nëse Rama do ta emëronte, Braçe iu përgjigj:
“Qeveria nuk është listë dëshirash për mua. Qeveria nuk bëhet me lista dëshirash, që do Erioni të bëhet ministër. Apo nëse je ministër dhe për të mbajtur postin e ministrit sulmon gjithë të tjerët që mendon se të rrezikojnë postin. Nuk merrem fare me këtë histori dhe as nuk dua fare të bëhem ministër në këtë lloj mënyre.”, tha Braçe.
Ai kritikoi ashpër mungesën e kontrollit mbi ushqimet e importuara, fidanët, pesticidet dhe produktet e ndaluara që qarkullojnë në treg. Sipas tij, produktet e bujqësisë që konsumohen sot në Shqipëri nuk kontrollohen siç duhet dhe shpesh hyjnë në mënyrë të paligjshme.
Deputeti socialist vuri në dukje se pa një reformë të thellë fiskale, çdo përpjekje për të formalizuar sektorin do të dështojë. Ai u shpreh skeptik për suksesin e operacioneve të qeverisë, duke thënë: “Kjo nuk do të ketë sukses. Sa kohë që nuk ndërhyjmë me politika fiskale serioze, gjithçka është e kotë.”/K.C/dritare.net

















