Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarri në malin e Dukatit përhapet drejt Llogarasë, në rrezik banesat dhe Parku Kombëtar

Zjarri në malin e Dukatit përhapet drejt Llogarasë, në

Flakët e zjarrit që prej 15 ditësh janë aktive në malin e Dukatit në Vlorë kanë avancuar ndjeshëm, duke vënë në rrezik banesa dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë. Era e fortë dhe terreni i vështirë kanë bërë që përhapja e zjarrit të jetë e shpejtë, ndërsa ndërhyrja nga toka mbetet e kufizuar.

Prej mëngjesit të sotëm, dy avionë nga Greqia dhe një helikopter i ushtrisë shqiptare janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve. Situata është kritike pranë një stani afër zonës së banuar, ku banorët ndihen të rrezikuar për shkak të afrimit të zjarrit.

Situata është përkeqësuar dhe flakët kanë përfshirë zona të reja.

Pas kërkesës së Shqipërisë për ndihmë ndërkombëtare, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Përveç avionëve grekë, edhe Italia ka dërguar një avion zjarrfikës të tipit Canadair, i cili është angazhuar në një tjetër vatër aktive në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e “Liqenit të Luleve”.

Mekanizmi Evropian ka konfirmuar se tre avionët nga Greqia dhe Italia po operojnë aktualisht në zonat e Vlorës dhe Dibrës, dhe janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë shtesë nëse kërkohet.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për një plan masash të veçanta. Ministri Pirro Vëngu deklaroi se për shkak të temperaturave të larta që priten në vijim, do të rritet gatishmëria e forcave vendore në çdo bashki dhe do të vijojë monitorimi intensiv i terrenit./K.C/dritare.net