
Dollia, gege apo toske? Çfarë thotë Sherif Bundo
Dritare.net
Në një intervistë të veçantë në Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, Sherif Bundo, studiues dhe ekspert i kulturës shqiptare, tregon se dollia nuk i përket ekskluzivisht as toskëve, as gegëve, por përbën një vlerë gjithëkombëtare që bashkon shqiptarët në të dyja anët e vendit.
Bundo thekson se dollia është një model social dhe demokratik, ku pjesëmarrja dhe respekti i barabartë ndaj secilit është thelbësor. Kjo traditë, që ka rrënjë të thella në kulturën shqiptare, shërben si një urë lidhëse mes komuniteteve, duke kapërcyer ndarjet rajonale dhe dialektore.
“Unë nuk do ta ndaja në këtë mënyrë. Por mund të them se dollia ka intensitet më të madh në të gjitha ato zona që dikur kanë qenë brenda Principatës së Muzakajve. Dhe është më e hershme se vetë ndarjet fetare. Është një rit parafetar, ndoshta pagan por kjo është çështje për antropologët,” shpjegon Bundo. Ai shton se ka gjetur gjurmë të shkruara për dollinë që datojnë që nga vitet 1670–1700. “Në enciklopedi të vjetra thuhej se popullsia shqiptare ishte burrërore, pjellore dhe përdorte një pije në një rit të quajtur dolli.
Ky interpretim i dollisë nga Sherif Bundo rikthen vëmendjen te vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i dhënë një dimension më të gjerë dhe gjithëpërfshirës kësaj tradite të lashtë./K.C/dritare.net

















