
Mjerë gazetaria dhe gazetarët: Kur rakia bëhet analizë dhe rrushi koment politike
Dritare.net
Nga Ilir Demalia
Dje, teksa po shfletoja kanalet televizive siç shfletohet një gazetë e stërvjetruar që mblidhinin bukën për punë në kohën e komunizmit, më zuri syri Euronews Albania në emisionin NOW (TANI). Aty, në një moment më kapi veshi një “gazetar” — ose të paktën dikë që e mban veten për të tillë. Emrin nuk po e përmend, jo nga mirësia, por nga paaftësia për ta kujtuar mes gjithë atyre figurave që dalin çdo ditë e që e kanë kthyer ekranin në një një kënetë ku llomotitet e llokoçitet gjithë ditën e lume pa kuptim .
Ky zotëria në fjalë, me vetëbesimin e një psikiatri të famshëm dhe me tonin e trashur të një gardiani të SPAK-ut, deklaroi me plot gojën:
“Erion Veliaj është në depresion të rëndë dhe ka pirë 30 kg raki.”
Po pra. Tridhjetë kilogramë. Jo gramë, jo litra, por kilogramë raki. Sepse, siç duket, rakia është tashmë njësi matëse e shëndetit mendor, dhe gazetari shqiptar ka kaluar nga roli i informuesit në atë të diagnozuesit klinik, distileristit dhe analistit të alkoolit të fermentuar nga rrushi.
Ky fenomen është një reflektim tragji-komik i asaj që mund të quajmë “gazetari të bërzive (mbetjeve të rrushit pasi është shrydhur dhe zier për raki) të rrushit” — ku rrushi nuk është më fryti i vjeljes profesionale, por metafora më e mirë për përmbajtjen e stërkulluar që na serviret si “analizë”.
Dhe meqë ra fjala, po, rrushi bën raki. Por jo çdo rrush bëhet gazetari, e aq më pak çdo gazetari bëhet ekspert për rrushin, për depresionin, për politikën, për moralin dhe për çfarëdo teme tjetër që i vjen përpara mikrofonit.
Në Shqipëri, lajmi nuk verifikohet, lajmi ndërtohet. Analiza nuk bëhet, sajohen. Gazetari nuk pyet, por deklaron. Ai nuk kërkon të informojë publikun, por ta trullosë. Dhe kjo është një çorbë që ziet e stërzihet si çorbë derrash në kazanin mediatik dhe hidhet në eter si pordhë intelektual – sa qelb dynjanë.
Habia e vetme që na ka mbetur është që nuk ka më habi, as kur qelbemi prej pordhëve mediatike dhe as nuk mundohet kush të zërë hundët me dorë prej erës së qelbur të pordhëve të kazanit mediatik.
As kur dëgjojmë deklarata të tipit “Veliaj ka pirë 30 kg raki”, as kur na analizojnë liderë politikë si të ishin pacientë klinikë. Sot gazetaria ka rënë në dorën e opinionistëve që e ndërtojnë mendimin si një status Facebook-u, ku lajmi është “çfarë kam dëgjuar unë nga një shok që ka parë një tjetër që ka qenë aty”.
Mjerisht, kjo është fytyra e një pjese të mirë të medias shqiptare. Një media që më shumë prodhon tallava sesa informacion, ku sarkazma zë vendin e fakteve, dhe ku çdo studio televizive është bërë një kazan rakie, ku dehja vjen jo nga alkooli, por nga arroganca, injoranca dhe mosbesimi ndaj çdo etike profesionale.
Në këtë çorbë ku është zier gjithçka — gazetaria, politika, shëndeti mendor, rakia dhe rrushi — një gjë mbetet e qartë:
Ka shumë pak gazetarë dhe shumë rrush të bërë uthull.

















