
Alarm nga Policia: Mos i hapni këto mesazhe, mund t’ju vidhen paratë nga llogaria bankare!
Dritare.net
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar për të paralajmëruar qytetarët mbi një skemë të re mashtruese që po qarkullon së fundmi në formën e mesazheve SMS dhe përmes aplikacioneve të komunikimit elektronik.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, persona ende të paidentifikuar po shpërndajnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, të cilat pretendojnë se janë të nevojshme për përditësimin e të dhënave bankare apo për verifikimin e llogarive personale. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë e tyre bankare, duke realizuar në shumë raste vjedhjen e shumave të konsiderueshme parash.
Policia e Shtetit nënvizon se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes mesazheve të dyshimta ose linkeve online të dhëna sensitive si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo të dhëna të tjera të sigurisë.
Në këtë kuadër, Policia u bën thirrje qytetarëve:
Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;
Të mos japin të dhëna personale apo bankare në forma të dyshimta online;
Të verifikojnë çdo kërkesë të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë ose agjenci shtetërore);
Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik.
Policia e Shtetit thekson se vijon të ndjekë me prioritet këto raste, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët vendas e ndërkombëtarë, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave.
"Respektoni sigurinë tuaj digjitale! Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!" – është mesazhi përmbyllës i Policisë së Shtetit drejtuar qytetarëve./K.C/dritare.net

















