
Gjinia e fëmijës nuk është rastësi. Ja çfarë zbuluan studiuesit!
Dritare.net
A është gjinia e fëmijës një çështje fati apo ndikohet nga faktorë të tjerë? Një studim i ri i publikuar nga shkencëtarët e Universitetit të Harvardit vë në pikëpyetje bindjen tradicionale se për çdo shtatzëni, gjasat për të pasur një djalë apo një vajzë janë të barabarta, 50 me 50.
Hulumtimi, i publikuar në revistën prestigjioze Science Advances, ka analizuar të dhënat e 146 mijë lindjeve nga 58 mijë gra amerikane, përgjatë një periudhe prej gati 60 vitesh. Rezultatet janë befasuese: në familjet ku tre fëmijët e parë janë vajza, gjasat që edhe fëmija i katërt të jetë vajzë rriten në 58%. E njëjta prirje vlen edhe për djemtë, nëse tre të parët janë meshkuj, probabiliteti për një djalë të katërt shkon në 61%.
Mosha e nënës, një faktor kyç
Studimi tregon gjithashtu se mosha e nënës në lindjen e parë ndikon ndjeshëm në përsëritjen e së njëjtës gjini. Gratë që bëhen nëna për herë të parë pas moshës 28 vjeçe, kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë të së njëjtës gjini, deri në 43% krahasuar me 34% për nënat më të reja se 23 vjeçe.
Ekspertët sugjerojnë se kjo mund të lidhet me ndryshime në sistemin riprodhues të gruas me kalimin e moshës, përfshirë aciditetin vaginal dhe ciklet hormonale, që mund të ndikojnë në mbijetesën e spermatozoideve që mbartin kromozomin X apo Y.
Gjenetika, një tjetër lojtar i rëndësishëm
Hulumtuesit kanë identifikuar disa gjene që duket se lidhen me prirjen për të pasur fëmijë vetëm të një gjinie. Për shembull, gjeni NSUN6 është lidhur me lindjet e vajzave, ndërsa TSHZ1 me lindjet e djemve. Sidoqoftë, autorët e studimit theksojnë se këto gjetje janë në faza të hershme dhe duhen verifikuar me kërkime të mëtejshme.
Çfarë nënkuptojnë këto gjetje?
Sipas autorëve, gjinia e fëmijës nuk është një hedhje monedhe që bie gjithmonë në mënyrë të barabartë, por më tepër si një monedhë me “peshë” të brendshme, që ndryshon nga familja në familje. Kjo “peshë” mund të ndikohet nga gjenet, mosha e nënës dhe ndoshta edhe faktorë të tjerë ende të panjohur.
Megjithëse rezultatet nuk mund të përdoren për të parashikuar me saktësi gjininë e një fëmije, ato sfidojnë idenë se çdo shtatzëni është një ngjarje krejtësisht e rastësishme. Kjo i jep një dimension të ri debatit mbi formimin biologjik të jetës dhe hap rrugën për kërkime të reja./K.C/dritare.net

















