
Pse disa njerëz përballojnë dhimbjen më mirë se të tjerët!
Dritare.net
Ekspertët zbulojnë se mënyra si e përjetojmë dhimbjen nuk varet vetëm nga dëmtimi fizik, por kryesisht nga mënyra se si truri ynë e interpreton atë. Dhimbja është një sistem biologjik alarmi që truri aktivizon për të na mbrojtur, por që ndikohet thellësisht nga emocionet, përqendrimi, pritshmëritë dhe konteksti.
Studimet tregojnë se në situata të rrezikshme ose me ngarkesë emocionale të lartë, si në fushën e sportit apo luftës, truri mund ta “fshijë” ndjesinë e dhimbjes për të përqendruar energjinë në mbijetesë apo arritjen e qëllimit. Nga ana tjetër, stresi, ankthi apo frika e shtojnë ndjesinë e saj.
Shkencëtarët theksojnë se dhimbja përpunohet gjithmonë në tru, edhe kur burimi është fizik. Për këtë arsye, dy persona mund të përjetojnë ndryshe të njëjtin dëmtim: njëri mund të kërkojë ndihmë të menjëhershme, tjetri të vazhdojë aktivitetin.
Ndikim kanë gjithashtu gjinia, hormonet, përvoja personale, edukimi dhe statusi socio-ekonomik. Për shembull, njerëzit që janë mësuar me stërvitje apo që përqendrohen te qëllimet, jo te simptomat, kanë më shumë gjasa të durojnë dhimbjen. Po ashtu, teknikat psikologjike si meditimi, rregullimi emocional dhe ndryshimi i mendësisë për dhimbjen, ndihmojnë në përballimin e saj.
Përfundimi i ekspertëve është i qartë: dhimbja është një përjetim kompleks dhe personal, që formohet nga ndërthurja e biologjisë, psikologjisë dhe rrethanave./K.C/dritare.net

















