
Lamine Yamal shpallet lojtari më i vlefshëm në botë!
Dritare.net
Lamine Yamal është shpallur lojtari më i vlefshëm në botën e futbollit, me një vlerësim marramendës prej 279.7 milionë euro. Talenti 17-vjeçar i Barcelonës, i cili shkëlqeu në Kampionatin Evropian "Euro 2024", ka lënë pas yje të mëdhenj dhe është ngjitur në krye të listës së publikuar nga Observatori Ndërkombëtar i Futbollit (CIES).
Në top dhjetëshe, bie në sy dominimi i Real Madridit, që përfaqësohet me katër futbollistë, duke konfirmuar forcën dhe potencialin e jashtëzakonshëm të skuadrës madrilene për të ardhmen. Në mesin e tyre përfshihen emra si Jude Bellingham, Vinícius Júnior, Arda Güler dhe Eduardo Camavinga.
Vlerësimet janë bërë mbi bazën e performancës, moshës, kontratave afatgjata, rëndësisë në skuadër dhe potencialit për të gjeneruar të ardhura në tregun e transferimeve.
Dominimi i lojtarëve të rinj dhe rritja e vlerave të tyre tregon një prirje të re në futbollin modern, ku talentet e reja po zënë vendin e ikonave të dikurshme. Vlera e Lamine Yamal është një rekord për një adoleshent, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes globale.
Lista e plotë e dhjetë lojtarëve më të vlefshëm pritet të nxisë spekulime të reja në tregun e verës, teksa klubet më të mëdha të Evropës kërkojnë të sigurojnë shërbimet e yjeve të së ardhmes./K.C/dritare.net

















