
E akuzoi për puç dhe tradhti. Obama i përgjigjet Trump-it
Dritare.net
Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar me forcë ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump, i cili e ka akuzuar për “puç” dhe “tradhti” në lidhje me hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Në një deklaratë të pazakontë publike, zyra e Obamës i hodhi poshtë akuzat e Trump-it si “të çmendura” dhe “tërësisht të pabaza”, duke i cilësuar si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga realiteti. “Për shkak të respektit për institucionin e presidencës, zakonisht nuk reagojmë ndaj keqinformimeve të vazhdueshme që dalin nga Shtëpia e Bardhë. Por këto deklarata janë kaq absurde, saqë kërkojnë një përgjigje”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i Obamës erdhi pak pasi drejtuesja e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabbard, publikoi një dokument 11-faqësh ku pretendon se ka prova për një “konspiracion tradhtar” të ish-zyrtarëve të administratës Obama, dokument që tashmë është dërguar në Departamentin e Drejtësisë.
Sipas zyrës së Obamës, “asgjë në dokumentin e publikuar nuk hedh poshtë përfundimin e përgjithshëm dhe të pranuar gjerësisht se Rusia tentoi të ndikojë zgjedhjet e vitit 2016, ndonëse pa mundur të ndryshojë votat”.
Këto përfundime u mbështetën nga raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në vitin 2019 dhe ai i Komisionit Bipartizan të Senatit për Çështjet e Inteligjencës në vitin 2020, nën drejtimin e Marco Rubio, aktualisht Sekretar i Shtetit në administratën Trump./K.C/dritare.net

















