
SPAK mbyll hetimet, Veliajt pritet t’i komunikohen akuzat në qeli
Dritare.net
SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur Ajola Xoxën, ndërsa i komunikoi akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Po sot pritet që t’i komunikohen akuzat edhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Këtij të fundit pritet t'i komunikohet akuza në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
Edhe Veliaj është hetuar me te njëjtat akuza si bashkëshortja. Në total, janë 13 persona në dosjen 'Veliaj', që pritet t'u komunikohet sot akuza.
SPAK ka përfunduar hetimet por ka lënë si afat fundor për dërgimin e çështjes për gjykim 24 shtatorin. Xoxa dhe avokati Maks Haxhia kanë marrë materialet dhe në bazë të dispozitave, pasi njohjes me akuzat, do të vendosin se çfarë qëndrimi do të mbajnë, do të japin deklarime apo do të bëjnë memo. Pala mbrojtëse ka kërkuar t’i vënë në dispozicion edhe materialet hetimore, ndërsa nga SPAK u është komunikuar që ato do t’u vihen kundrejt pagesës, por nuk është pranuar nga avokati.
Mësohet se është marrë i pandehur edhe një biznesmen i ri në dosjen ‘Veliajt’. Bizmesmeni Mirton Lika i është komunikuar akuza e “Fshehjes së të ardhurave”, emri i të cilit nuk është përmendur më herët. Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.
Një ditë më parë, avokatët e Veliajt kritikuan shpërndarjen e informacionit se sot do të jepej akuza për Veliajn, përpara se të informohet vetë i hetuari. Sipas tyre, kjo bëhet për të ndikuar opinionin publik dhe për të ndërtuar një perceptim faji përpara gjykimit. Ata kërkuan hetim për rrjedhjet e informacionit, ndërsa paralajmëruan se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.
Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ndërsa Xoxa nën masën detyrim paraqitje./L.F-dritare.net

















