
Shqipëria dhe Turqia forcojnë bashkëpunimin ushtarak: Marrëveshje për pajisje me artileri
Dritare.net
Në përfundim të vizitës zyrtare në Turqi, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu dhe homologu i tij turk, Yaşar Güler, nënshkruan një amendim të rëndësishëm të “Protokollit të Asistencës Financiare”, i cili parashikon furnizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me sisteme artilerie 105 mm.
Ky protokoll i përmirësuar jo vetëm që thellon kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe zgjeron fushën e mbështetjes përtej asistencës materiale, përfshirë trajnime, seminare, logjistikë, transport dhe ndihmë institucionale.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve operacionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e arsimimit profesional të personelit të FA-së, duke e bërë këtë një hap të rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë shqiptare./l.F-dritare.net

















