
Apeli i GJKKO prish dënimin për Alqi Bllakon, çështja rikthehet për rigjykim
Dritare.net

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka prishur vendimin e Shkallës së Parë që dënonte me 4 vite burg ish-deputetin Alqi Bllako, duke urdhëruar rikthimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trupë gjykuese.
Vendimi u shpall më 23 korrik 2025 nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça dhe Tereza Merkaj. Çështja në fjalë lidhet me dosjen hetimore të inceneratorit të Tiranës.
Apeli shqyrtoi ankimimet e paraqitura si nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ashtu edhe nga vetë Alqi Bllako, ndaj vendimit të 11 marsit 2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në atë vendim, Bllako ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv” në dy episode, duke u dënuar me 4 vite burg, të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar, iu reduktuan në 2 vite e 8 muaj.
Në ankimimin e tij, Bllako kërkoi pafajësi, duke argumentuar se posti që ka mbajtur nuk e përfshin atë në kategorinë e zyrtarëve të lartë, dhe për rrjedhojë, sipas tij, nuk duhej të ishte ngritur një akuzë e tillë.
Ky nuk është rasti i vetëm gjyqësor për Alqi Bllakon lidhur me aferën e inceneratorëve. Më herët, ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite e 8 muaj burg për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa për inceneratorin e Fierit, Apeli ka vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë.
Sipas vendimit të Apelit, aktet i kalojnë një trupe tjetër gjykuese në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, duke i hapur rrugë një procesi të ri gjyqësor për ish-deputetin socialist./K.C/dritare.net

















