Kaos në Tiranë, flakë dhe tym në qendër, protestuesit sulmojnë institucionet
Dritare.net

Qendra e Tiranës është përfshirë nga kaosi, me akte dhune, zjarr dhe tym gjatë protestës që nisi në orët e para të ditës. Protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë dhe molotovë institucione shtetërore, banka dhe biznese.
Në shënjestër të sulmeve kanë qenë Kryeministria, Kuvendi dhe Piramida, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe godina të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Arsimit. Janë dëmtuar gjithashtu biznese dhe institucione financiare në qendër të kryeqytetit.
Policia ka përdorur autobotët me ujë dhe gazin lotsjellës për të përballuar situatën, ndërsa protestuesit kanë zhvendosur më pas qëndrimin drejt Parlamentit.
Sipas të dhënave të raportuara, 7 persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre 3 protestues dhe 4 efektivë policie, të cilët po marrin trajtim në Spitalin e Traumës. Ndërkohë, disa persona janë shoqëruar nga policia.
Protestës, e paralajmëruar për në orën 14:00, i janë bashkuar edhe studentë nga disa fakultete të Tiranës, të cilët nisën marshimin që në orët e mëngjesit, duke bojkotuar mësimin.