Jessie J i jep fund lidhjes 5-vjeçare: Ishte e dhimbshme, por ...
Dritare.net

Këngëtarja britanike Jessie J ka bërë të ditur ndarjen nga partneri i saj prej rreth pesë vitesh, basketbollisti Chanan Safir Colman. Çifti ka vendosur t’i japë fund lidhjes së tyre romantike, por do të vazhdojnë të jenë pranë njëri-tjetrit si prindër të djalit të tyre, Sky.
Lajmin e bëri publik vetë artistja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se kjo ka qenë një periudhë e vështirë dhe e dhimbshme për të dy.
“Chanan dhe unë vendosëm t’i japim fund lidhjes sonë romantike pak kohë më parë. Ka qenë një situatë e trishtueshme dhe e vështirë, por jemi përqendruar ta përballojmë këtë ndryshim në mënyrë private dhe pozitive, për të krijuar një ambient të shëndetshëm dhe të lumtur për djalin tonë dhe për ne”, shkroi Jessie J.
Këngëtarja 38-vjeçare dhe ish-lojtari profesionist i basketbollit, 42 vjeç, nisën lidhjen në vitin 2021 dhe u bënë prindër të djalit Sky në vitin 2023.
Jessie J theksoi se, pavarësisht ndarjes, ata do të vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të bazuar te respekti dhe kujdesi për fëmijën e tyre.
“Do të vazhdojmë gjithmonë ta mbështesim njëri-tjetrin me dashuri, respekt dhe kujdes si miq dhe mbi të gjitha si prindërit e Sky”, tha ajo.
Artistja sqaroi gjithashtu se vendosi ta bëjë publike ndarjen për të shmangur thashethemet dhe interpretimet e gabuara rreth marrëdhënies së tyre.
Ndarja vjen pas një periudhe të vështirë për Jessie J, e cila vitin e kaluar zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer gjiri në fazë të hershme dhe më pas njoftoi se ishte shëruar./K.C/dritare.net