Ja Reforma e re Territoriale: Nga 61 në 46 bashki
Dritare.net

Nga 61 në 46 bashki. Ky është ndryshimi kryesor i propozuar nga mazhoranca në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale. Drafti i parë është depozituar në Kuvend nga deputetët socialistë anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Sipas modelit të propozuar, bashkia do të mbetet e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Në organizimin e brendshëm të bashkive parashikohet krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, i quajtur “Qyteti”. Kështu, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” do të zëvendësohet me modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Qyteti parashikohet të ketë rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, ndërsa do të ketë edhe një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.