Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja çfarë thanë prindërit për librat falas, në shkollën 'Vasil Shanto'!

Ja çfarë thanë prindërit për librat falas, në
E hëna e shumëpritur për fëmijët,  erdhi! Sot u hapën dyert e shkollave në të gjithë vendin. Në kryeqytet ishte një ditë ndryshe. Ajo që shihej më së shumti ishin fëmijë me lule në duar dhe çanta në shpinë.

Në sytë e tyre dukeshin emocionet, por më shumë se vetë fëmijët, emocione kishin prindërit. Sidomos ata prindër që çonin fëmijët e tyre në klasë të parë.

Dritare.net u gjend në oborrin e shkollës “Vasil Shanto” në ditën e parë të vitit të ri shkollor, për të parë nga afër fëmijët që janë në fillore, dhe ata që për herë të parë ulen në bankat e shkollës.

Ne pyetëm për librat, nëse i kanë marrë falas. Pyetëm çfarë udhëzimesh ju kanë dhënë prindërve, në momentin që morën librat, dhe çfarë prindërit u kanë këshilluar fëmijëve. Pyetëm nëse do paguanin nëse fëmija nuk i mirëmban librat.

Prindërit e rinj u përgjigjën se janë dakord me këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, sepse vetëm kështu fëmija do të mësonte si të kujdesej për librat. “Jam dakord, tha një nënë e cila e kishte vajzën në klasë të dytë, fëmijë duhet të mësojë të kujdeset për librat. Është një formë edukimi".

Kishte shumë nga ata që ishin të bindur se fëmijët e tyre nuk do i dëmtojnë librat. Sapo u bëmë pyetjen; Mendoni se do paguani në fund, nëse librat do jenë dëmtuar? Menjëherë, me një zë të prerë, përgjigjeshin; “Jo, sepse fëmija im është i kujdesshëm”.

Gjyshërit dhe gjyshet e fëmijëve ishin edhe më shumë dakord për dhënien e librave falas dhe kthimin e tyre në fund të vitit, por dhe për pagesën. “Kështu funksiononte në kohën tonë. Fëmijët duhet të tregojnë kujdes.”

Ndërsa një nënë e re tha për dritare.net që do donte t’i paguante librat. “Unë do kisha shumë dëshirë t’i kisha blerë librat e vajzës time. T’i ketë kujtim nga klasa e parë. Do t’i paguaj në fund të vitit, nëse lejohet”, tha ajo.

Pothuajse shumica e të pyeturve nga prindërit, ishin dakord dhe të gjithë mendoni se është më e mira për fëmijët e tyre.

https://www.facebook.com/portali.dritare/videos/1722142061217162/

Teksa minutat kalonin, oborri i shkollës 9 vjeçare “Vasil Shanto”, mbushej me fëmijë dhe nën shoqërinë e muzikës, të gjithë gëzonin.

Sapo ora vajti 08:00, nxënësit u drejtuan nga dyert e shkollës dhe u futën brenda, për të nisur vitin shkollor./E.B-dritare.net