Ish-shefi i inteligjencës gjermane arrestohet nën dyshimin për tradhti!
Dritare.net

Ish-shefi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar të martën në mëngjes nën dyshimin për tentativë tradhtie ndaj shtetit dhe veprimtari agjenturore në shërbim të një inteligjence të huaj.
Sipas Prokurorit Federal në Karlsruhe, bashkë me të është arrestuar edhe një ish-bashkëpunëtor i tij i ngushtë, ish-shefi i zyrës së tij, i cili dyshohet për ndihmë në këto vepra.
Mediat gjermane raportojnë se ish-bashkëpunëtori dyshohet se i ka dhënë Hanning-ut, kundrejt pagesës, informacione tepër sekrete të paktën deri në vitin 2022. Sipas raportimeve, gjatë viteve bëhet fjalë për rreth 2.000 dokumente.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ish-shefi i inteligjencës, mbi bazën e këtyre informacioneve, ka përgatitur një analizë sigurie për një shërbim të huaj inteligjence. Nuk dihet ende nëse kjo analizë i ka mbërritur marrësit.
Autoritetet nuk kanë bërë publik se për cilin shtet bëhet fjalë. Sipas WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung, hetimet nuk kanë lidhje me Rusinë.
Arrestimet u kryen në rrethin Bad Tölz-Wolfratshausen në Bavari dhe në rrethin Steinfurt në landin Rheinland-Westfalia e Veriut. Hetimet i ka marrë në dorë Prokurori Federal që në maj.
August Hanning drejtoi inteligjencën e jashtme gjermane nga viti 1998 deri në 2005 dhe më pas shërbeu si sekretar shteti në Ministrinë Federale të Brendshme deri në 2009.
80-vjeçari ishte vënë kohët e fundit në qendër të vëmendjes edhe për një çështje tjetër. Prokuroria e Hamburgut po heton nëse ai, si drejtues i një firme sigurie, ka qenë i përfshirë në një tentativë të dështuar në vitin 2022 për rrëmbimin e fëmijëve të sipërmarrëses Christina Block. Hanning i ka mohuar akuzat në atë rast.