Zhdukja e 700 mijë eurove nga Posta, arrestohet edhe burri i Elisabeta Matajt: U kërkonte punonjëseve 25 mijë lekë në muaj
Dritare.net

Arrestohet bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës në Durrës, akuzohet se u kërkonte punonjëseve 25 mijë lekë në muaj
Policia e Durrësit ka arrestuar Feta Matajn, 44 vjeç, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, filiali Durrës, Elisabeta Mataj.
Mataj, i cili pak kohë më parë ishte emëruar zv.drejtor i Ndërmarrjes Komunale të Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë Durrës, është arrestuar me urdhër të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Sipas hetimeve, një punonjëse e filialit të Postës ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se Feta Mataj u kërkonte punonjëseve një shumë prej 25 mijë lekësh çdo muaj.
Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, ish-drejtuese e Postës Shqiptare në Durrës, ndodhet nën masën “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi përvetësimin dhe shpërdorimin e rreth 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Policia njofton se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme./K.C/dritare.net