Kuvendi i Kosovës shqyrton ndryshimet në Ligjin për Specialen
Dritare.net

Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë sot nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa kjo nismë është vendosur si pika e parë e rendit të ditës.
Në prag të seancës, dhjetëra qytetarë kanë kaluar natën para godinës së Kuvendit, në shenjë proteste dhe në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në ligj.
Protestuesit u kanë bërë thirrje deputetëve që të votojnë nismën, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para Parlamentit deri në përfundimin e procesit parlamentar.
Nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së dënimeve ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshimet synojnë të prekin juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që çështjet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Çështja pritet të shkaktojë debat të fortë në Kuvend, ndërsa prania e qytetarëve para institucionit tregon ndjeshmërinë e lartë që vazhdon të ketë në Kosovë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së./dritare.net