Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ilir Shalari, shqiptari që doli gjallë nga Kullat Binjake!

Ilir Shalari, shqiptari që doli gjallë nga Kullat Binjake!

Ish-pedagogu i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, Ilir Shalari, ka rrëfyer për herë të parë historinë e jetës së tij në emisionin "Dekalog" me Roland Qafokun, në Dritare TV. Shalari jeton prej 34 vitesh në Shtetet e Bashkuara, ku shkoi si oficer në qershor të vitit 1992, nëpërmjet Janinës.

I lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës, Shalari hyri në Shkollën Skënderbej në moshën 13-vjeçare, si pjesë e një fisi ushtarakësh. Pasi punoi tre vjet në Shkodër, u dërgua në Universitetin e Tiranës, ku mbaroi Ekonominë Politike në vitin 1978. Ishte i vetmi ushtarak në një kurs me "çunat e bllokut". Më vonë mori titullin doktor i shkencave me temën "Militarizimi i ekonomisë kapitaliste".

Si pedagog në Shkollën e Bashkuar, ku në leksionet e tij nuk mungonte askush, shpjegonte "sa i keq ishte kapitalizmi". Sot e quan ironi të madhe që përfundoi në Manhattan. "Më thoshin: akoma s'të kanë arrestuar?", kujton ai, duke treguar se katër vetë të Sigurimit e ndiqnin. Sipas tij, në katedër kishte dy grupe: pedagogët e rinj dhe "forcat e errëta", siç i quan ish-komisarët. Ata i bënë një gjyq partie me 11 akuza, nga ora 9 e mbrëmjes deri në 3 të natës. "Donin të më ulnin hundën", thotë Shalari.

Gramoz Pashko, Fatos Nano dhe Baba Mondi

Shalari ka qenë shok banke me Gramoz Pashkon. Sipas tij, kur u takuan në vitin 1992, Pashko ishte "i goditur fare" dhe i tha: "Më ndjekin." Kur e pyeti kush, u përgjigj: "Forcat e errëta." Edhe në Amerikë, ku pinë kafe bashkë, ishte ende i tronditur. Për Sali Berishën, sipas Shalarit, Pashko i kishte thënë: "Nuk është ai që kemi menduar."

Për Fatos Nanon, Shalari thotë se "nuk shkonte mirë me të atin" dhe se "qëndron në majë, sepse populli e donte shumë". Ai tregon gjithashtu se Baba Mondi, sot Kryegjyshi Botëror Bektashi, kishte qenë studenti i tij dhe kishte ngelur në lëndë. Shalari, vetë bektashi, thotë se e mbështet krijimin e shtetit bektashi.

Viti 1991 dhe ikja

Gjatë protestës për bustin e Enver Hoxhës në Shkollën e Bashkuar në vitin 1991, Shalari thotë se u hodh nga muri sepse kishte frikë për jetën. Babai i tij ishte vrarë në kufi në vitin 1974, kur ai ishte student, dhe e ëma rriti tetë fëmijë.

Daja i tij nga Amerika, Viktor Dobro, i shkroi kryeministrit Adil Çarçani, bashkëfshatar i tyre. Pas 48 vitesh, Dobro puthi tokën shqiptare në Rinas dhe u takua me motrat në Janinë, i shoqëruar nga Shalari. Ishte pikërisht ky dajë që e ndihmoi të shkonte në Amerikë.

Roja i urave dhe 11 Shtatori

Në New York, Shalari punoi në sigurinë e urave të Port Authority. Sipas tij, grupi ku punonte parandaloi 29 sulme. Më 11 shtator 2001 ndodhej në katin e 10-të të njërës prej Kullave Binjake. Zbriti nga shkallët dhe iku me vrap mes tymit. "I pashë me sytë e mi njerëzit që hidheshin", rrëfen ai. Mbërriti në shtëpi në 2 të natës, aq i mbuluar me pluhur sa familja nuk e njohu. Kujton edhe tre shqiptarë që humbën jetën atë ditë. "Në Amerikë mësova që duhet besuar në Zot", thotë ai.

Pas pandemisë, Shalari u zhvendos me familjen në Florida. Me bashkëshorten, Florën, është bashkë prej mbi 40 vitesh./E.P-dritare.net