Berisha në Kuvend: Shefen e SHISH-it e rekrutuan bandat dhe kartelet
Dritare.net

Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha ngriti sërish çështjen e arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për këtë çështje, ndërsa tha se Hyseni wshtw rekrutuar nga “bandat dhe kartelet”. Berisha akuzoi gjithashtu deputetët socialistë se po bëhen “avokatë” të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të SHISH.
“Ky Kuvend është shndërruar në një shërbëtor të shpifur të narkoshtetit. Është shndërruar në një dhunues flagrant të interesave më jetike të qytetarëve shqiptarë. Ky Kuvend është shndërruar në një institucion turpi, që po i shërben në verbëri absolute narkoregjimit, narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Ju, në vend se të spostoni çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, nuk bëni asgjë. A e dini se çfarë do të thotë shefja e SHISH-it, anëtare e grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë? Grupit që dispononte qindra milionë euro për llogari të Ramës, në AKSHI. Grupit që kontrollonte internetin dhe komunikimin e mbarë vendit.
Një pjesë e juaja ka porositur vrasje, një pjesë e juaja ka bërë pazaret më të fëlliqura me kartelet e drogës. Dhe tani bëhemi avokatë të Ramës dhe të Vlora Hysenit. Ju vini mbi interesat e shqiptarëve, të Shqipërisë, por edhe mbi interesat e NATO-s e bashkëpunimit ndërkombëtar, interesat mafioze të një njeriu që s’ka as ligj e as moral, që sillet si padron në terren dhe ju si skllevër të tij.
Unë e kuptoj që lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve në një kohë kur shefen e SHISH-it e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? Jeni skllevër të padrinos. Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë. Ky shkelmon çdo interes të shqiptarëve.
Po të mos ishin këto, ju Edi Ramën e kishit zhveshur lakuriq, ja kishit nxjerrë të gjitha, problemi është se mbroni ato tuajt ju. Ky kuvend nuk ka moral të ekzistojë, është zëdhënës i Ballukut, i Troplinëve, i Bajrave”, tha Berisha.