Kriza e strehimit, qeveria e Sánchez humb votëbesimin. Spanja drejt zgjedhjeve të parakohëshme!
Dritare.net

Qeveria e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez ka pësuar një humbje në Parlament, ku janë rrëzuar dy dekrete që synonin mbrojtjen e qiramarrësve dhe përballimin e krizës së strehimit. Vendimi vjen mes protestave që përfshinë vendin pas dëbimit të një gruaje 87-vjeçare nga banesa e saj në Madrid.
Sipas BBC-së, dekreti i parë u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro, ndërsa i dyti me 184 vota kundër dhe 166 pro. Humbja ka shtuar presionin ndaj Sánchez dhe diskutimet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Gjatë debatit, qindra protestues u mblodhën jashtë Parlamentit. Pas shpalljes së rezultateve, ata reaguan me thirrjet “Turp!” dhe “Fitimet tuaja, mjerimi ynë”.
Protestat nisën pas dëbimit të Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, e cila nuk mund të përballonte rritjen e ndjeshme të qirasë së vendosur nga kompania Urbagestión, pronare e apartamentit ku jetonte në qendër të Madridit.
Pas reagimit publik, kompania negocioi rikthimin e saj në banesë me një qira të ulët. Megjithatë, protestat vijuan në Madrid dhe qytete të tjera, ku qytetarët ngritën tenda në sheshe dhe kërkuan masa për qira të përballueshme. Protestuesit kanë bërë thirrje edhe për një grevë të përgjithshme për krizën e strehimit.
Paketa e parë e qeverisë parashikonte pezullimin deri në vitin 2030 të dëbimeve për qiramarrësit në gjendje të cenueshme, zgjatjen me dy vjet të kontratave që skadonin përpara vitit 2028, rritjen e taksave për apartamentet turistike dhe kufizime për blerjen e banesave nga fondet që qeveria i cilëson si “fonde grabitqare”.
Dekreti i dytë përfshinte rinovimin automatik të kontratave të qirasë, një nga kërkesat kryesore të organizatave të qiramarrësve.
Partia Popullore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox kundërshtuan të dyja paketat. Kundër u pozicionua edhe partia katalanase JxCat, mbështetja e së cilës ishte vendimtare për qeverinë e pakicës.
Përpara votimit, Sánchez u bëri thirrje deputetëve të mbështesnin masat, duke i cilësuar ato të domosdoshme për të vendosur rregull dhe njerëzi në tregun e strehimit.
Kundërshtarët argumentuan se ndërhyrjet mund të dekurajonin pronarët nga dhënia e banesave me qira, duke ulur ofertën dhe rritur më tej çmimet. JxCat, nga ana tjetër, kritikoi dekretet si të hartuara me nxitim dhe paralajmëroi se mund të prodhonin efektin e kundërt.
Sipas raportimit, qeveria pritet të shqyrtojë gjatë fundjavës hapat e mëtejshëm, përfshirë mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit./dritare.net