Përkeqësohet situata nga zjarri në Gjinar, flakët përfshijnë 10 hektarë pyje!
Dritare.net

Situata nga zjarri në masivin pyjor të Njësisë Administrative Gjinar, në Elbasan, është përkeqësuar gjatë orëve të fundit, ndërsa flakët janë përhapur në një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së zjarrit, pranë mesditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, me qëllim vënien nën kontroll të vatrave që nuk mund të arrihen lehtësisht nga ekipet në terren.
Operacioni është përqendruar në zonat e Caushit, Pashtreshit, Bregut të Madh, Koritës dhe Lugut të Thellë, ku po punohet për të penguar avancimin e mëtejshëm të flakëve në masivin pyjor.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar rreth 15 forca zjarrfikëse të MZSH Elbasan, 70 forca të Bashkisë Elbasan, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Forcat në terren, të mbështetura tashmë edhe nga ndërhyrja ajrore, po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit./dritare.net