6 tetori, afati i fundit per Kosoven, ose zgjedhje të parakohshme!
Dritare.net

Kosova ka sot një ditë për të shmangur zgjedhjet e reja.
Dje Kuvendi i Kosoves miratoi në lexim të parë ndryshimet për Dhomat e Specializuara, por mbeti përplasja kryesore: PDK kërkon miratimin përfundimtar të ligjit para zgjedhjes së Presidentit, ndërsa LVV kërkon që fillimisht të zgjidhet Presidenti.
120 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vetëm ditën e sotme për të gjetur marrëveshjen politike që do t’i japë vendit Presidentin e ri dhe do të shmangë një tjetër krizë institucionale.
Në tryezë nuk është vetëm emri i Presidentit. Palët po negociojnë një paketë më të gjerë politike që lidhet me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe, në perspektivë, me qasjen e qytetarëve të saj në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por ora po ecën.
Afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit përfundon sot, më 6 tetor.
Deri në mesnatë, politika kosovare ka dy rrugë: të gjejë marrëveshjen që i jep vendit institucione funksionale, ose ta çojë Kosovën përsëri në zgjedhje parlamentare.
Në rastin e dytë, do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet.
Sot në Prishtinë nuk negociohet vetëm për një President. Negociohet nëse Kosova do të dalë nga cikli i krizave politike apo do të hyjë edhe një herë në fushatë zgjedhore.