Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata Administrative rrëzon padinë e Erion Veliajt për emërimin e Ols Dados si prokuror

Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me emërimin e Ols Dados si prokuror.

Sipas vendimit të gjykatës, Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje, por vetëm interes të tërthortë, ndaj kërkesa nuk është marrë në shqyrtim. Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesat për t'u pranuar si palë në proces të ish-prokurorit Tom Deda dhe të shoqatës “Asociacioni për Media e Drejtësi”.

Pas vendimit, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se çështja do të ndiqet në Apel. Ai e cilësoi vendimin të pritshëm dhe tha se do të vijojë ndjekja e çështjes pas zbardhjes së vendimit.

Gjatë seancës, Veliaj argumentoi se emërimi i Ols Dados si prokuror është bërë në mënyrë të paligjshme dhe kërkoi që gjykata të rikthejë besimin te drejtësia. Ai ngriti gjithashtu pretendime lidhur me mungesën e dokumentacionit për përfundimin e Magjistraturës nga Dado.

Nga ana tjetër, avokati i Ols Dados, Erarb Almadhi, kërkoi rrëzimin e padisë, duke argumentuar se akti i emërimit të Dados është një vit përpara shkarkimit të Tom Dedës dhe se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në çështje.

Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e avokatit të Veliajt për t'i kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dokumentacionin lidhur me emërimin e Ols Dados.

Gjatë seancës u shqyrtua edhe kërkesa e ish-prokurorit Tom Deda për t'u pranuar si palë në proces. Deda pretendoi se shkarkimi i tij lidhet me emërimin e Ols Dados, ndërsa mbrojtja e këtij të fundit kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se emërimi i Dados ka ndodhur një vit përpara shkarkimit të Dedës.

Gjykata nuk pranoi kërkesën e Dedës për ndërhyrje kryesore në gjykim.

Ndërkohë, gjatë seancës u paraqit edhe një grua e cila pretendoi se ishte përfaqësuese e Veliajt. Sipas gjykatës, ajo nuk kishte licencë avokatie dhe asnjëra nga palët nuk e njihte. Gjykata deklaroi se rasti do t'u referohet organeve kompetente.

Pas vendimit, avokati Plarent Ndreca bëri të ditur se do ta ankimojë çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit./L.F-dritare.net