Na ndiqni edhe në

Bota

Gjermania përfshihet nga protestat e dhunshme. Të rinjtë pushtojnë rrugët, përplasje të ashpra me policinë!

Gjermania përfshihet nga protestat e dhunshme. Të rinjtë

Marrë nga BBC
Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shkurtimeve të shpenzimeve publike janë kthyer në përplasje të dhunshme në disa qytete të Gjermanisë. Mbrëmjen e së shtunës, 31 tetor, demonstruesit plaçkitën dyqane në qendër të Frankfurtit, ndërsa incidente të ngjashme u regjistruan edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg. Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kishin dalë në rrugë gjatë ditës për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, mungesës së financimeve në arsim e shëndetësi, shkurtimeve të shërbimeve sociale dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Demonstratat u organizuan nga lëvizja “Gjenerata Z merr drejtimin”, dhe fillimisht u zhvilluan në mënyrë paqësore. Por me rënien e mbrëmjes, situata u përshkallëzua. Në Frankfurt, protestues të dhunshëm thyen xhamat e disa dyqaneve dhe vodhën mallra, përfshirë atlete dhe produkte të tjera. Sipas policisë, u sulmua edhe një dyqan armësh, ndërsa pas arrestimit të një të dyshuari u sekuestruan dy armë.

Forcat e rendit ndërhynë me njësi speciale dhe përdorën autobotë me ujë për të shpërndarë turmat, pasi ndaj punonjësve të emergjencës u hodhën gurë, shishe, fishekzjarrë dhe kokteje molotov.

Ministri i Brendshëm i landit të Hesenit, Roman Poseck, deklaroi se rreth 100 ekstremistë të identifikuar të së majtës kishin depërtuar në protestën e Frankfurtit, duke e cilësuar të turpshme mënyrën se si përfunduan demonstratat.

Edhe në qytete të tjera situata ishte e tensionuar. Në Berlin u plagosën 27 efektivë policie dhe deri në 56 persona u ndaluan përkohësisht. Në Hamburg, ku u dogjën barrikada dhe u hodhën fishekzjarrë, mediat raportuan 120 të arrestuar. Ndërsa në Këln, policia u sulmua pranë stacionit kryesor hekurudhor.

Gjermania përfshihet nga protestat e dhunshme. Të rinjtë

Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan pjesëmarrjen e deri në 18 mijë protestuesve, ndërsa organizatorët kishin parashikuar një numër rreth dy herë më të lartë.

Zëdhënësja e lëvizjes “Gen Z regelt”, Lina Friedrich, deklaroi se qëllimi i protestave është mbrojtja e paqes dhe lirisë, përmirësimi i sistemeve të arsimit e shëndetësisë dhe kundërshtimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Protestat në Gjermani vijnë në një kohë kur një valë pakënaqësie, e udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, po përhapet në disa vende të Evropës.

Në Francë, mbi 320 mijë persona protestuan të shtunën për të tretën fundjavë radhazi. Përplasjet me policinë në Tuluzë, Lion dhe Marsejë çuan në më shumë se 500 arrestime.

Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Itali dhe Portugali, ndërsa gjatë javëve të fundit protesta të të rinjve janë regjistruar edhe në Belgjikë, Irlandë, Spanjë, Greqi, Serbi dhe Shqipëri.

Megjithëse kërkesat ndryshojnë nga një vend në tjetrin, shqetësimet kryesore të protestuesve mbeten rritja e kostos së jetesës, vështirësitë për të siguruar banesa, cilësia e arsimit dhe shkurtimet e shërbimeve publike./dritare.net