Debati për Sazanin/ Rama: Ushtarë virtualë me fytyra dhe emra shqiptarë sulmuan hapësirën digjitale
Dritare.net

Në intervistën për gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, kryeministri Edi Rama u ndal te protestat e “Flamingove”, projekti i Sazanit dhe roli që, sipas tij, pati hapësira digjitale në amplifikimin e debatit. Kryeministri tha se shqetësimet për pronën, mjedisin, transparencën dhe aksesin publik ishin legjitime, por pretendoi se mbi to u mbivendosën narrativa të rreme dhe ndërhyrje digjitale që rritën tensionin. Rama foli edhe për llogari dhe “ushtarë” virtualë që, sipas tij, ushqyen përçarje dhe e kthyen çështjen në një debat shumë më të madh se vetë projekti.
Pjesë nga Intervista!
Rudina Xhunga: Patët një sfidë të madhe. Unë nuk e di realisht, pavarësisht çfarë keni thënë ju përditë, a ju sfidoi dhe si e përjetuat ju sfidën e kësaj që quhet “Revolucioni i Flamingove”, “Bulevardi i Flamingove”. Domethënë, si e përjetuat këtë, një njeri që është mësuar të sfidojë, të provokojë?
Edi Rama: Tony Blair thotë diçka shumë interesante në librin e tij mbi lidershipin. Është një libër i ri që ka botuar, që është shumë i vërtetë, të paktën unë e gjej shumë të vërtetë. Kur lideri merr përsipër rolin që i takon, pasi votohet dhe bëhet kryeministër ose president, drejtues, në fillim, thotë, dëgjon me etje, sepse ka peshën e madhe të ndjesisë që duhet të mësojë sa më shumë dhe sa më shpejt, edhe shumë gjëra nuk i di. Pastaj fillon të fitojë përvojë dhe fillon të mendojë se gjërat i di dhe bëhet gjithmonë e më i paduruar për të dëgjuar: “Okej, okej, vazhdojmë, vazhdojmë, vazhdojmë”. Dhe vjen një fazë e tretë, nëse arrin në atë fazë të tretë, kur i rikthehesh dëgjimit dhe fillon të dëgjosh në një mënyrë tjetër, edhe me përulësi, sepse përvoja të mëson që nuk i di të gjitha. Dhe, në këtë sens, ky “Bulevardi i Flamingove”, siç e kam pagëzuar unë, ishte pikërisht një përvojë e tillë. Pra, me u vu përpara befasisht një pasqyrë shumë sfiduese. Dhe besoj që, në kohën e ndërmjetme midis këtyre tri fazave, unë do isha zënë me pasqyrën, besoj. Por, në fakt, m’u bë gjithmonë e më interesante ajo pasqyrë për të kuptuar realisht çfarë... Dhe besoj që aty fillon edhe një provë shumë, shumë e vërtetë për një udhëheqës, për një lider, për një drejtues, mes asaj të cilës nuk i shpëton kush, në mënyrë të veçantë në atë fazën e ndërmjetme: krenaria për të pasur të drejtë, domethënë që ti do të kesh të drejtë dhe krenaria jote është më e rëndësishmja, dhe kurajos për të pranuar që, ore, mund të ketë të drejtë ai që të sfidon dhe të kuptosh se ku qëndron.
Rudina Xhunga: Po si erdhi? Se momenti i parë ka qenë kur ju përmendët edhe fjalën “dorëheqje”. Madje ky ka qenë momenti i parë. Pastaj ka qenë e ndryshme mënyra e komunikimit tuaj. Në një moment keni thënë, e quajtët momentin final “lënie pas Shqipërisë së mungesave, betejë për Shqipërinë e pritshmërive”. Po derisa arritët këtu, kishit një reflektim të ndryshëm gati çdo ditë.
Edi Rama: Po, është e vërtetë. Mbase vjen momenti për ta shpjeguar se pse unë kam menduar dorëheqjen. Ndërkohë që këtë jam përpjekur ta shpjegoj më pas dhe kam marrë si referencë një episod me një kryetar bashkie, njeri që i rri në kokë komunitetit, një ndër kryetarët e bashkive që realisht është rezultativ e të tjera, e të tjera.
Ishte shumë i acaruar. Ishte ngritur një komunitet banorësh në një lagje periferike dhe tha: “Nuk kam parë popull mosmirënjohës. I kam bërë... Mos kishin rrugë? Tani kanë rrugën, ua bëra. Dritat ua vura, i kanë vënë dhe stola”, tha. “Janë mosmirënjohës.”
Ndërkohë që s’është mosmirënjohje. Në fakt, është një ndryshim stadi që Tocqueville e quan një paradoks i suksesit. Domethënë, për sa kohë e keqja duket si e pashmangshme, duket si fat, duket si diçka që ka dhe më keq, ajo bëhet e durueshme. Ndërkohë që bëhet e padurueshme sapo ti fillon dhe imagjinon që ti mund t’i shpëtosh.
Pra, sa më shumë vendi ecën, sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq më shumë ti, qytetari, nuk je i prirur të shohësh çfarë u bë, po je: “Po kjo tjetra?”
Ndërkohë që deri dje kishte situata që, po themi, ishte një kohë në Shqipëri kur fitoheshin vota me çakull. Pra, çoheshin kamionë me çakull, hidhej çakulli në një lagje të pambaruara ose në një fshat dhe njerëzit jepnin votën. E konsideronin një dhuratë për të cilën duhet të ishin mirënjohës dhe të shprehnin votën.
Ajo ishte një kohë që ka ikur prej kohësh. Pastaj unë kam përjetuar gjatë kohën kur një rrugë në komunitet, një shkollë e rindërtuar, një sistem ndriçimi i vendosur, shoqërohej me bekime të mëdha dhe me buzëqeshje të mëdha dhe ishte festë. S’është më.
Madje sot, pikërisht se gjërat kanë ndryshuar dhe sepse të gjithëve u është bërë realisht e mundshme çdo gjë, teoria e dikurshme e kohës kur ne e morëm detyrën, që “ka dhe më keq, kështu që shyqyr, mirë jemi se ka dhe më keq”, i ka lënë vendin teorisë “ka dhe më mirë”. Pikë, mbaroi. Mos më thuaj se çfarë ke bërë. Okej, po tani ke kaq vjet këtu, më thuaj: kjo, kjo pse s’është bërë?
Kështu, në këtë sens, është një çështje pritshmërish.
Rudina Xhunga: Po ju s’e prisnit?
Edi Rama: Jo, nuk e prisja. Nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj dhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar deri në fund. Dhe pastaj, sigurisht, e kam shoqëruar edhe me lexim dhe faktikisht kam kuptuar që jemi në këtë fazë.
Është diçka shumë e mirë, sepse është, si të thuash, një ndryshim, një ndryshim zyrtar ose i vulosur nga njerëzit, i stinës së Shqipërisë. Por është diçka shumë sfiduese, sepse padurimi është i madh.
Rudina Xhunga: Çfarë stine?
Edi Rama: Të pritshmërive të rritura. Tocqueville e quan “revolucioni i pritshmërive të larta”. Dhe faktikisht, një qytet që jeton me dy orë ujë në ditë, kur fillon të marrë 18 orë ujë në ditë, nuk i mjaftojnë më dy orë, ose nuk është më vetëm çështja e orëve, është çështja e cilësisë.
Sazani dhe algoritmi
Rudina Xhunga: Dua të ndaloj pak gjatë te projekti i Sazanit, për shkak se ai nuk shpjegon vetëm Sazanin, shpjegon gjithë filozofinë edhe të turizmit, edhe të zhvillimit të Shqipërisë. Kështu që do të ndalojmë pak gjatë. Por, përpara se të shkoj, se më ngacmoi kjo që thatë: mbase po të kishit komunikuar më shumë me shërbimet tuaja sekrete do të kishit të dhëna. Mbase ta kishit më të fortë atë të kontrollosh, jo vetëm të besosh...
Edi Rama: Nuk është një çështje shërbimesh sekrete. Nuk është. Kjo është çështje e brendshme, domethënë, që lind vetvetiu. Nuk është një çështje shërbimesh sekrete. Kjo është diçka që ka ardhur... Natyrisht që këtu ndodhi ajo që anglisht thonë perfect storm, stuhia perfekte, se u bashkuan shumë komponentë në një pikë dhe kjo i dha edhe një lloj madhështie gjithë gjësë, por nuk është çështje e shërbimeve.
Rudina Xhunga: Ishte madhështore. Domethënë, ajo fotografia që vazhdojnë e vënë, edhe pse nuk është e njëjta...
Edi Rama: Patjetër.
Rudina Xhunga: Po ju e quajtët në nisje, të paktën, “patentë”, ia faturuat algoritmit ose ndikimit të kundërshtarëve tuaj, të Donald Trump, po fitonit kohë, apo dhe vetë nuk po e gjenit?
Edi Rama: Jo, nuk është kështu. Unë fola për algoritmin sepse kjo ishte një gjë e vërtetë. Dhe jo vetëm ishte e vërtetë, por ishte diçka shumë shokuese për ta parë nga këndi im. E kishim të dëgjuar se si bëhen interferencat në zgjedhje në vendet e tjera, se si bëhen interferencat për të nxitur revoltat, se si u interferua gjithë sistemi i komunikimit digjital francez për të provokuar ato djegiet e Parisit. Por tjetër është ta kesh me të dëgjuar, tjetër është ta shohësh se si ndodh. Se si mijëra e mijëra ushtarë të prodhuar në laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën digjitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh, ose më saktë e rrisin atë tension.
Rudina Xhunga: Ndodhi vërtet kjo? Ju jeni shprehur të gjithë kohës që kjo është krijuar, është krijuar realiteti, është krijuar jashtë, keni thënë.
Edi Rama: Patjetër.
Rudina Xhunga: Po çfarë?
Edi Rama: Patjetër që është krijuar viraliteti. Krijuar falë gjithë këtij intensifikimi që, natyrisht, diskutohet, kishte një farë të pazëvendësueshme, që ishte figura e Donald Trump-it. Por mbase unë i dhashë më shumë peshë algoritmit sesa shqetësimit. Mbase thjesht dhe vetëm u fokusua gjithë dynjaja aty, a thua se unë... Ndërkohë që unë e thashë në të përsëritur: unë nuk po akuzoj, unë nuk po them që ata që kanë dalë në bulevard janë agjentë të Iranit.
Rudina Xhunga: Kështu u krijua ideja.
Edi Rama: Jo, nuk u krijua ideja, se kjo është bota e pasqyrave në të cilën ne jetojmë. S’i kam këtu, s’kam këtu pasqyrën time me vete. Është një botë e cila na e ndikon gjithmonë e më shumë perceptimin e botës fizike dhe jo vetëm e ndikon gjithmonë e më shumë, por krijon kontekste të reja. Pra, ne shikojmë në 30 sekonda diçka e cila mund të jetë e vërtetë aty, por e nxjerr nga konteksti, krijon një kontekst të ri. Kështu që unë, pa dyshim, nuk mendoj që algoritmi krijoi problemin, por mendoj që algoritmi e nxori problemin jashtë çdo lloj ekuilibri në raport me të vërtetat.
Rudina Xhunga: Më intereson, se e nisët dhe ndoshta ju ndërpreva, kur po tregonit për përmbajtjen e krijuar me këta ushtarët, si në Francë. Domethënë, çfarë ndodhi? Çfarë ndodhi, gjë që ne nuk e dimë, nuk e kemi parë?
Edi Rama: Është e gjithë bota ku ne jetojmë sot, e cila ka këtë ndarje midis jetës reale dhe jetës së pasqyrës.
Rudina Xhunga: Ku ishin në protestë ata? Çfarë bënë ata në protestë? Çfarë bënë për protestën këta njerëz, realiteti i tyre, i skuadrave?
Edi Rama: Ata nuk ishin në protestë, ata nuk ekzistojnë. Ata janë të krijuar në laborator dhe ata u japin zë narrativave të ndryshme. Për shembull, çfarë lidhje kishte gjithë ky zhvillim, ku me të drejtë një pjesë e njerëzve shqetësoheshin për flamingot, për biodiversitetin, çfarë lidhje kishte me marrëdhëniet me Izraelin? Ku hynte këtu Izraeli?
Rudina Xhunga: Tek investimi ishte ideja që po vijnë izraelitët, po marrin Sazanin.
Edi Rama: Një gënjeshtër. Domethënë, kjo ishte një narrativë e krijuar dhe e nxitur nga kjo ushtri ushtarësh jorealë, të rritur në laboratorët e teknologjisë, të cilët e ka shumë të vështirë t’i identifikojë edhe Facebook-u dhe Instagram-i, sepse rriten dhe ata marrin pamje, marrin jetë, marrin formë dhe nuk i njeh: a janë realë, a s’janë realë. Kështu që, mbas tyre janë operatorët, janë forcat që i hedhin në luftë.
Rudina Xhunga: Mund të dimë diçka më shumë që ju e dini? Keni zbuluar llogari private? Keni zbuluar prova? Çfarë keni zbuluar ju që ta përforcojë këtë, se u krijua?
Edi Rama: Patjetër që kemi. Shiko, ne kemi në Shqipëri një kapacitet të jashtëzakonshëm, që jo rastësisht vlerësohet edhe botërisht, të mbrojtjes kibernetike. E kemi krijuar nga halli, sepse u gjendëm nën sulmin shumë të egër të Iranit, që synoi të na e rrafshojë komplet gjithë infrastrukturën e shërbimeve digjitale. Nuk ia dolën dot, por aty pamë që duhet të ngrinim një mur, siç ngrenë gjithë vendet, sepse është një luftë e përditshme që zhvillohet, si të thuash, në pjesën e padukshme të atyre pasqyrave që ne shohim.
Dhe falë teknologjisë sot, vendet në zhvillim mund të bëjnë kapërcime të jashtëzakonshme dhe mund të shfaqen papritur e pakujtuar përpara vendeve të zhvilluara, sepse e kanë më të lehtë të induktojnë prodhime të reja. Dhe ne kemi sot një teknologji të mbrojtjes kibernetike që është top of the top dhe, për këtë arsye, kemi po ashtu edhe shumë kapacitete identifikuese të ndërhyrjeve malinje. Kemi një dosje, por sigurisht që unë nuk jam ai që përcakton vendndodhjen e një llogarie dhe të bëj këtu ekspertin e IP-ve. Por kemi mësuar që, përpara sesa të dalim dhe të themi “është ky, është ai”, atribuimin që quhet, pra t’ia atribuosh një sulm dikujt, ta bëjmë këtë duke u siguruar për të vërtetën e gjetjeve tona përmes bashkëpunimit me aktorë të tjerë. Dhe jemi duke e përmbyllur. Jemi në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të njohur dhe besoj që do të kemi rezultatin përfundimtar të atribuimit. Ne s’kemi asnjë dyshim fare. Ashtu siç nuk kemi dyshim që narrativa e përçarjes fetare dhe narrativa e përçarjes etnike, pra e kundërvënies së myslimanëve, përmes disa figurash shumë të zymta të botës absolutisht jo të zymtë, por përkundrazi të pasur shpirtërisht, të komunitetit mysliman shqiptar, kundër hebrenjve dhe, patjetër, edhe të përçarjes etnike, në kuptimin shqiptar anti-izraelit, duke projektuar si izraelit një investim që s’ka lidhje fare me shtetin e Izraelit, s’ka lidhje fare me ndonjë marrëveshje, marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Izraelit, por ku aktorë të dorës së parë janë dy vëllezër myslimanë, sirianë, qytetarë të Katarit, dhe ku Katari, një vend që nuk ka marrëdhënie me Izraelin, është pjesë integrale e investimit. Tani, a mund të përfytyrohet që Katari mund të investojë fonde dhe mund të ketë përfshirje në një projekt që synon ta kthejë Zvërnecin në një enklavë të Izraelit apo që synon të marrë palestinezët nga andej e t’i sjellë këtej, se s’kam kuptuar deri në fund se çfarë thonë?
Kjo mund të përfytyrohet vetëm në fantazira absolutisht diabolike, të cilat e dinë shumë mirë që kjo s’është e vërtetë, por duan të nxisin urrejtje.
Rudina Xhunga: E pra, kjo është pyetja. Çfarë donin? Në qoftë se ju përmendni rusët, iranianët, turqit i keni përmendur...
Edi Rama: Duan të nxisin urrejtje.
Rudina Xhunga: Ndaj kujt? Ndaj jush?
Edi Rama: Duan të nxisin urrejtje, duan të nxisin përçarje. Jo ndaj meje. Unë, në këtë rast, jam thjesht dhe vetëm një digë që duhet shembur. Por, ndërkohë, urrejtje mes shqiptarëve dhe kundër izraelitëve. Kjo është diçka e tmerrshme, për shkak se është të pështysh mbi varret e të gjithë atyre shqiptarëve myslimanë, në radhë të parë, dhe pastaj edhe të krishterë, që e bënë Shqipërinë vendin që doli me nder nga një Luftë e Dytë Botërore, ku të gjithë dolën me kokën ulur në raport me hebrenjtë dhe ku, falë myslimanëve shqiptarë në radhë të parë, këtu u shpëtuan të gjithë hebrenjtë. Mund të jesh komplet kundër politikës në Izrael, por politika në Izrael shkon e vjen. Marrëdhënia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë me Izraelin është po kaq e rëndësishme sa marrëdhënia me vendet arabe, me të cilat ne kemi, simetrikisht, marrëdhënie vëllazërore. Dhe këto janë krijuar me shumë përpjekje dhe një vizion shumë të qartë strategjik. Dhe me Turqinë.
Rudina Xhunga: Por a ka pretendime të vërteta për këtë protestë?
Edi Rama: Jo, patjetër që ka pretendime të vërteta. Nuk diskutohet që ka pretendime të vërteta.
Rudina Xhunga: Se u krijua ideja që përgjigjet janë iranianët, janë turqit, që po sjellin pretendime të tjera.
Edi Rama: Për sa i përket algoritmit, as nuk diskutohet. Për sa i përket edhe një komponenti tjetër, që nuk është komponent i ndërhyrjes malinje, por është një komponent i ndërhyrjes politike, nëse mund të quhet e tillë, sigurisht që hija e presidentit të Shteteve të Bashkuara tërhoqi shumë. Sepse, nëse nuk do të ishte emri i Kushnerit dhe emri i Trump në këtë projekt, jam i sigurt që kjo nuk do të merrte përmasat ndërkombëtare që mori. Gjithë pjesa anti-Trump në politikën ndërkombëtare gjeti në skenën e bulevardit një shesh beteje për të thirrur në duel Donald Trumpin dhe për ta mundur me shqiptarët.
Domethënë, në këtë sens, këto ishin aspektet ekstra, por nuk ishin këto që krijuan protestën, që të jemi shumë të qartë. Unë jam shumë i vetëdijshëm. Dhe nëse pretendimet e rreme rrëzohen një për një me dokumente, përveçse, siç thashë, edhe me argumente që lidhen me “pse”-në e interferencave të huaja apo me “pse”-në e kësaj ndërhyrjeje të madhe politike, pikëpyetjet që njerëzit kanë ose ndjesitë shqetësuese që njerëzit kanë mbi pronën, mbi transparencën, mbi ndikimin mjedisor, aksesin publik në një investim të tillë – do të ketë akses, plazhi do të jetë publik apo do të mbyllet – dhe raporti i këtij zhvillimi me interesin publik, janë të gjitha pyetje ose pikëpyetje legjitime.
Pra, ne kemi detyrë që të luftojmë gënjeshtrën, por të mos shpallim armik çdo pikëpyetje, sepse nuk është e vërtetë.
Rudina Xhunga: Ndërkohë, ju bëtë një dallim të protestës, domethënë javën e parë edhe vazhdimin. Qëndrojmë edhe pak te java e parë, te ajo fotografia e asaj që mund t’i vësh emrin “madhështore”, shqiptarët të dalë me flamingot. Tani që flasim, cili është thelbi i saj për ju?
Edi Rama: Unë besoj që thelbi i javës së parë është një dallim mes faktit dhe përjetimit. Pra, faktet tona përballë përjetimit të tyre.
Ne kishim fakte, unë kisha faktet, edhe më dukej në fillim si një padrejtësi shumë e madhe që gjithë ai milet ishte tmerruar nga gënjeshtra. Por njerëzit e kishin përjetimin.
Mendoj që atij revolucionit të pritshmërive që e thotë Tocqueville, ose momentit të kalimit në një stinë të re të shoqërisë, i kishte ardhur koha. Tani u gjet videoja, ajo videoja e tmerrshme u gjet ajo. Po, nëse s’do të kishte ndodhur videoja, do të gjendej një shkak tjetër, sepse kishte ardhur koha dhe njerëzit kishin pikërisht përjetimin problematik.
Ne shikonim procedurën, ata përjetonin kërcënimin, kërcënimin mbi pronën. Dhe përjetimi i kërcënimit mbi pronën pastaj atomizon mijëra, qindra mijëra përjetime të individëve lidhur me pronën e tyre, me lejen e tyre, me të drejtën e tyre.
Ne kishim hartën, ata shikonin detin dhe mendonin që do na merret kjo copë deti. Ne kishim një projekt zhvillimi dhe kemi një projekt që, për mua, është i jashtëzakonshëm. Ata, në fakt, nuk e kishin projektin e zhvillimit, por konkretisht shikonin gardhin. Dhe ai gardh ishte si një gardh ferri që i ndante praktikisht ata nga diçka që ata e ndjenin të tyren dhe që po u merrej.
Dhe në këtë boshllëk, në këtë hendek midis fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve, hyri algoritmi, hynë videot, hynë gjithë lemeritë./dritare.net