Braho: SPAK e dinte ku ndodhej Ermal Beqiraj, arrestimi në Francë nuk ishte rastësor
Dritare.net

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka dhënë detaje për arrestimin në Francë të Ermal Beqirajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Gjatë një takimi me gazetarët, Braho deklaroi se arrestimi i Beqirajt nuk ishte një veprim i rastësishëm, duke theksuar se SPAK kishte qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze.
Sipas tij, prokuroria shqiptare kishte shkëmbyer informacion me autoritetet franceze jo vetëm për kapjen e Beqirajt, por edhe për veprime të tjera që lidhen me hetimin.
Braho tha se SPAK e dinte vendndodhjen e Beqirajt dhe se para arrestimit kishte dërguar edhe letërporosi pranë autoriteteve franceze.
Ermal Beqiraj u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK, në kuadër të dosjes “AKSHI”. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera publikë, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Arrestimi është realizuar në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Beqiraj ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë, ndërsa pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./L.F-dritare.net