Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Braho flet për dosjen Balluku: “Prioriteti më i lartë i SPAK”, 9 agjentë në terren

Kreu i SPAK, Klodian Braho, e ka cilësuar dosjen e ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, si një nga çështjet me prioritetin më të lartë për Prokurorinë e Posaçme.

I pyetur nga gazetarët lidhur me kontrollet e zhvilluara nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Braho nuk dha detaje të tjera mbi operacionin, por konfirmoi se në terren ndodhen 9 agjentë të BKH-së.

Sa i përket vendimit të Partisë Socialiste për të refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, Braho deklaroi se ky vendim nuk ka penguar vijimin e hetimeve.

Ai tha se mund të ketë një kërkesë të re për masë sigurie, nëse gjatë hetimeve do të dalin rrethana të reja që e justifikojnë një veprim të tillë.

Ndërkohë, Braho foli edhe për biznesmenin Ermal Beqiri, duke bërë të ditur se SPAK ka kërkuar sekuestrimin e çdo pasurie të tij. Beqiri u arrestua të shtunën në Francë, pasi dyshohet se po fluturonte me dron mbi një central bërthamor.

Hetimet për të dyja çështjet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në varësi të zhvillimeve të reja që mund të dalin gjatë hetimeve.