Banorët e kompleksit Kika 1 kundërshtojnë përdorimin e rrugës së tyre për ndërtimin e një kulle
Dritare.net
Banorët e kompleksit “Kika 1”, kundërshtojnë që firma ndërtuese “TDT Partners SHPK” të përdorë rrugën e tyre për ndërtimin e një kulle në njësinë nr. 5 në Tiranë.
Në një prononcim për DritareTV, banorja Deni Turhani ngre shqetësimin për përdorimin e një rruge private nga mjetet e tonazhit të rëndë që do të shërbejnë për ndërtimin e një kulle 20-katëshe mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë.
Sipas saj, në kompleks jetojnë më shumë se 350 familje dhe rruga që kalon mes ndërtesave është e ngushtë dhe përdoret çdo ditë nga banorët. Turhani thotë se banorët nuk kanë dhënë dakordësinë për përdorimin e kësaj rruge si akses për punimet e ndërtimit.
Ajo pretendon se hyrja e parashikuar në projekt ndodhet në një tjetër pjesë të kompleksit, ndërsa devijimi përmes rrugës private është bërë për të mundësuar kalimin e mjeteve të rënda.
Banorja shprehet se situata krijon shqetësim edhe për sigurinë e banorëve, duke kujtuar se rruga është e ngushtë dhe se në raste emergjencash mund të vështirësohet ndërhyrja e mjeteve të emergjencës.
Turhani bën me dije se banorët kanë ndjekur edhe rrugën ligjore, përmes një avokati, duke ndërmarrë hapa administrativë dhe penalë. Ajo thotë gjithashtu se në zonë ka pasur prezencë të Policisë për të shmangur përplasjet mes banorëve dhe palëve që po kryejnë punimet.
“Ne po ndjekim ligjërisht procedurat”, shprehet Turhani, ndërsa shton se banorët do të vijojnë kundërshtimin e përdorimit të rrugës private për punimet e ndërtimit./dritare.net