
Në ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Jetona Koçibelli ekspozitë tek Kryeministria!
Dritare.net

Gazetarja e kulturës, Jetona Koçibelli në 3 maj, Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka organizuar hapjen e një ekspozite me emrin BACKSTAGE SHOW.
Përmes një postimi në Facebook, gazetarja thekson se në këtë ekspozitë do të diskutohet: “A është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë”.
“Jam shumë e lumtur t’ju mirëpres në ekspozitën time të radhës “BACKSTAGE SHOW. Liria e #medias është një postulat universal, por vetëm në botën demokratike ka vlerë! Sa më shumë demokraci të ketë një shoqëri, aq më shumë liri do ketë dhe media! Pra, edhe media, është produkt i shoqërisë! Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka dhe media! Nisur nga episodet e shumta dhe jo vetëm, dilema është kjo: a është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë?
Në kronologjinë historike lind pyetja: A ishte demokratik apo çfarë sistemi kishte Shqipëria pas shembjes së regjimit komunist, kur filloi persekutimi e linçimi i gazetarëve të opozitar?
#BACKSTAGESHOW quhet ekspozita e radhës që unë kuroj në Qendrën për Hapje dhe Dialog, e cila për publikun çel dilemën nëse: Liria është një nocion gjeneralist! Sot kemi liri të shfrenuar falë epokës digjitale, ku kemi zëvendësuar paradoksalisht parullën komuniste “Gjithë populli ushtar” me parullën demokratike “Gjithë populli gazetar”.
Hapur për publikun: COD | Biblioteka e Kryeministrisë. 4 deri 9 maj 2024 në oraret 9:30-14:00 edhe 17:30-20:30”, shkruan gazetarja./M.K-dritare.net

















