Na ndiqni edhe në

Bota

Zvicra referendum për të kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë. Përplaset me BE-në

Zvicra pritet të votojë të dielën në një referendum për një propozim që synon kufizimin e popullsisë së vendit, një nismë e nxitur nga debatet dhe ndarjet mbi emigracionin. Nëse miratohet, masa mund ta vendosë vendin në një përplasje me Bashkimin Evropian.

Qytetarët zviceranë do t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë: A duhet që popullsia e Zvicrës të kufizohet në 10 milionë banorë? Nëse shumica voton pro, Zvicra do të bëhej vendi i parë në Evropë që vendos një kufi të tillë.

Popullsia aktuale e Zvicrës është pak mbi 9 milionë banorë, nga 8.3 milionë që ishte një dekadë më parë. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se një e katërta e banorëve janë të lindur jashtë vendit.

Propozimi për kufirin u paraqit nga forca më e madhe politike në vend, Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë, e cila e cilëson si një çështje “qëndrueshmërie”.

SVP argumenton se “emigracioni i pakontrolluar po e rrit Zvicrën shumë shpejt” dhe se pasojat negative po ndihen në fusha të ndryshme të jetës, duke pretenduar se shumë qytetarë po ndihen “të huaj në vendin e tyre”.

Por drejtuesit e biznesit paralajmërojnë se kufizimi i popullsisë mund të dëmtojë ekonominë dhe t’i lërë kompanitë pa punonjësit e nevojshëm për vendet e punës./K.C/dritare.net