Edi Rama-protestuesve: Dorëheqja ime nuk negociohet, kontrata me shqiptarët deri 2029
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestuesve që një ditë më parë kundërshtuan dokumentin “Besa”, të prezantuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e tij nuk përbën një çështje negocimi, duke theksuar se kontrata e tij politike është me qytetarët shqiptarë.
“Përsërisin që s’duan ‘dialog’, s’ka ‘negociata’, s’japin ‘besë’, po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh”, shkroi Rama.
Kryeministri tha se protestuesit nuk i kanë dhënë votë dhe se nuk ka një kontratë me ta, ndërsa theksoi se nuk ka ndërmend të prishë kontratën me 800 mijë shqiptarë që, sipas tij, e kanë votuar.
“Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove”, u shpreh Rama.
Ai i cilësoi protestuesit si “sorra dhe korba”, duke thënë se ata janë pjesë e “anës së errët të protestës”, por nuk kanë lidhje me dokumentin “Besa” dhe detyrimet që, sipas tij, burojnë prej tij.
Rama shtoi se protestuesit mund të vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij deri në vitin 2029, duke argumentuar se liria dhe demokracia funksionojnë njësoj për të gjithë.
“Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata, po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike”, përfundoi kryeministri.