Zëvendëskryeministrja Koçiu: Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës!
Dritare.net

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish nga protesta e dhunshme ku ka publikuar pamjet nga dëmtimi i Ministrisë së Eknomisë.
Sipas Koçiut fëmijët nuk duhet të përfshihen në protesta të dhunshme. Ajo u bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët dhe të sigurohen që ata të qëndrojnë larg zonave të përplasjeve.
Reagimi i plotë:
"Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit. Vendi i tyre është në bankat e shkollës, mes librave, në dritën e dijes dhe në sigurinë që meritojnë, jo në errësirën e një revolte me maska që nuk shohin kë dhe ku godasin e as çfarë shkatërrojnë.
Një revoltë që i përdor fëmijët si mburojë dhe u mëson gjuhën e dhunës, nuk i shërben së ardhmes së tyre.
Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme e të gjithëve! Distancohuni nga dhuna, ulni tensionet dhe largoni menjëherë të miturit nga zonat e përplasjes.
Të dashur prindër, sot nuk bëhet fjalë thjesht për bojkotimin e mësimit apo mungesat në shkollë, por për sigurinë e drejtpërdrejtë të fëmijëve tuaj. Tregoni kujdes të jashtëzakonshëm në këto momente, interesohuni se ku ndodhen fëmijët tuaj dhe sigurohuni që të jenë larg çdo zone tensioni e përplasjeje.
Kërkohet kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë. Asnjë kauzë, sado e madhe dhe e drejtë të duket, nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije"-thuhet në reagimin e ministres./K.C/dritare.net