Presidenti Begaj thirrje pas përplasjeve: Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe dialog
Dritare.net

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar përmes një video-mesazhi pas protestave dhe akteve të dhunës të dy ditëve të fundit, duke u bërë thirrje qytetarëve të zgjedhin dialogun dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve. Kreu i shtetit theksoi se zëri i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, duhet të dëgjohet, por nënvizoi se dhuna nuk është zgjidhje. Begaj shprehu mbështetjen për forcat e rendit, u uroi shërim të shpejtë të lënduarve dhe deklaroi se mbetet i hapur për të krijuar hapësirë dialogu e mirëkuptimi mes palëve.
Reagimi
Të dashur qytetarë,
Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.
Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.
Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.
Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.
Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.