Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohet nga detyra kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit
Dritare.net

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të pezullojë nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila trajtonte rastin e Arlinda Zekajt, të vrarë më 25 tetor.
Për të dyja ka nisur një procedurë disiplinore, ndërsa Këshilli ka vendosur edhe krijimin e një paneli hetimor për shqyrtimin e rastit.
Propozimi për pezullimin e tyre u bë nga kryeprokurori i shtetit, Zejnullah Gashi, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, rast që ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet e drejtësisë trajtuan raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
Në njoftimin zyrtar, Këshilli Prokurorial bëri të ditur se vendimet janë marrë pas shqyrtimit të raportit me numër reference A.Nr. 379/2026, të paraqitur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkohë, Valbona Disha-Haxhosaj është caktuar ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Sipas informacionit të bërë publik, vetëm tri ditë para vrasjes, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, ku shprehte shqetësimin se jeta e saj ishte në rrezik./L.F-dritare.net
