Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vila në Palasë, opozita kërkon arrestimin e Ballukut: “SPAK t’i drejtohet sërish Kuvendit”

Sekuestrimi i një tjetër vile në Palasë, që SPAK e konsideron në pronësi faktike të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka sjellë reagime të forta nga opozita. Demokratët kërkojnë që SPAK t’i drejtohet sërish Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe t’i hapet rrugë masave të reja ndaj saj.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi rastin si një tjetër provë që sipas tij kërkon ndërhyrjen e drejtësisë.

“Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?”, shkroi Bardhi.

Edhe deputetja Jorida Tabaku kërkoi që Kuvendi t’i hapë rrugë drejtësisë, duke e cilësuar çështjen e Ballukut si një test për Shqipërinë dhe integrimin europian.

Ndërkohë, deputeti demokrat Saimir Korreshi kërkoi ngritjen e një Task-Force për hetimin e pasurive të ministrave, duke iu referuar vilës në Palasë, me vlerë rreth 410 mijë euro.

Sipas SPAK, vila në Palasë dyshohet se është marrë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në një tender prej afro 30 milionë eurosh me TVSH për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Prona rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.

Balluku po hetohet për shkelje të barazisë në tenderë në tetë raste, korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa së fundmi hetimit i është shtuar edhe vepra penale e mosdeklarimit ose fshehjes së pasurisë.

Më herët, SPAK kishte sekuestruar edhe një tjetër vilë në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, po ashtu të regjistruar në emër të Igli Tares.

Opozita kërkon tashmë që SPAK të ndërmarrë hapa të rinj dhe që Kuvendi të autorizojë masat e kërkuara nga organi i akuzës./L.F-dritare.net