Plani i qeverisë/ Një agjenci për të gjitha pasuritë e paluajtshme, shkrihen Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës
Dritare.net

Pronat në Shqipëri do të menaxhohen nga një agjenci e vetme. Përmes një projektligji të hedhur për konsultim publik, qeveria propozon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, një strukturë që synon të bashkojë në një institucion të vetëm Kadastrën dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave, por edhe administrimin e pronës shtetërore.
Sipas projektligjit, reforma synon t'i japë fund fragmentimit të proceseve të pronësisë dhe mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve përmes këtij autoriteti të vetëm që do të përfshijë: regjistrimin kadastral, administrimi i pronës shtetërore dhe përfundimi i proceseve të mbartura të pronësisë.
Në kompetencat e agjencisë së re do të jenë edhe legalizimet, transferimi i tokës bujqësore, si dhe trajtimi dhe kompensimi i pronave.
ASHP-ja do të organizohet në dy nivele, qendror dhe vendor. Në nivelin qendror do të funksionojë Drejtoria e Përgjithshme, së bashku me dy struktura të posaçme: Drejtoria e Trajtimit të Pronës dhe Drejtoria e Pronave Shtetërore. Në nivel vendor do të ngrihen drejtori, të cilat do të mbulojnë territorin e të gjithë vendit.
Relacioni përcakton se ndjekja, administrimi dhe ekzekutimi i detyrimeve të kompensimit të proëbës Drejtorisë së Trajtimit të Pronës, (aktualisht ATP). Për shkak të natyrës së veçantë të këtyre detyrimeve, ajo do të ketë edhe buxhet të veçantë, të financuar nga buxheti i shtetit, edhe pse do të jetë pjesë e Agjencisë së Shtetëroret ë Pronës.
Relacioni evidenton një barrë të konsiderueshme të trashëguar nga ATP-ja. Bëhet fjalë për 96 vendime gjyqësore, 15 prej të cilave janë përfundimtare, me një vlerë prej rreth 1.19 miliardë lekësh. Ndërsa 81 vendime të tjera janë ende në shqyrtim, me një ekspozim potencial financiar prej rreth 2.95 miliardë lekësh.
Agjencia do të financohet përmes të ardhurave nga shërbimet, buxhetit të shtetit, donacioneve dhe huave.
Një tjetër element janë tarifat. Parimi i përgjithshëm është që shërbimet e agjencisë të jenë me pagesë, ndërsa regjistrimi i pronës shtetërore parashikohet të jetë pa tarifë. Për pushtetin vendor dhe shoqëritë me kapital shtetëror parashikohen tarifa të reduktuara.
Me hyrjen në fuqi të ligjit, do të nisë transferimi i arkivave, sistemeve digjitale, aseteve dhe strukturave të institucioneve ekzistuese drejt agjencisë së re.
Qëllimi është krijimi i një sistemi të integruar, ku informacioni dhe proceset që lidhen me pronën të administrohen nga një autoritet i vetëm./shqiptarja.com