Na ndiqni edhe në

Opinione

Dinjitet nuk ka vetëm deputeti…

images (4).jfif

Nga Ylli Manjani

Ka një të vërtetë të thjeshtë në teorinë e dhunës: ajo nuk fillon me armën. Fillon me fjalën.

Kur, në ditët e para të asaj që u pagëzua me pompozitet “revolucioni i flamingove”, u detyrova t’u ktheja publikisht të sharën sharësve të dhunshëm, shumë njerëz m’u hodhën në qafë. Nuk i hidheshin sharësve, por
mua. Arsyeja ishte komike: “Duhej të ishe më etik.”


Pra, etika kërkohej nga ai që përgjigjej, jo nga ai që sulmonte.

Që në ditën e parë kam thënë se ky nuk ishte revolucion idesh. Ishte një fabrikë dhune. Si çdo revolucion tjetër që ndërtohet mbi urrejtjen, ai prodhoi menjëherë armën e tij të parë: sharjen. Nuk kishim as borxh, as hak, as hile me ta. Nuk ishim domosdoshmërisht kundër tyre. Thjesht refuzonim logjikën se dhuna mund të jetë metodë politike apo qytetare.

Koha e provoi atë lexim të parë që i bëra këtij revolucioni.

Sot askush nuk mund të thotë se nuk e sheh përshkallëzimin e dhunës. Nga sharjet në rrjetet sociale, te kërcënimet në telefon, te linçimi publik, te vezët, te gurët, te shkatërrimi i makinave të policisë dhe i automjeteve të deputetëve. Apo e harruat arkivolin dhe deklarimet me “plumb ballit”?! Mos na thoni se bllokimi i rrugëve nuk quhet dhunë e përshkallëzuar!

Dhuna pra, vetëm ndryshoi mjetin. Thelbi mbeti i njëjtë.

Problemi është se ne kemi një përkufizim disi primitiv të dhunës. Shqiptarët, në shumicë, quajnë dhunë vetëm atë që lë gjak. Nëse nuk ka armë, nuk ka viktimë. Nëse nuk ka hundë të thyer, buzë të çarë apo sy të nxirë nuk ka dhunues.


Ky është mashtrimi ynë kolektiv ndaj vetes.

Sharja publike është dhunë. Poshtërimi sistematik është dhunë. Fyerja e organizuar është dhunë. Sulmi ndaj dinjitetit të njeriut është forma e parë e dhunës. Pikërisht sepse synon të zhveshë tjetrin nga respekti, nga reputacioni, nga e drejta për të qenë i lirë dhe i barabartë në hapësirën publike.

Shoqëria jonë nuk e mbron dinjitetin, për fat të keq. Shteti edhe më përdreq. Prandaj nuk konsiderohet sharja si dhunë. Dinjiteti shihet si luks, jo si e drejtë.

Por ka edhe hipokrizi në këtë çështje.

Kur shaheshim ne, jo deputetët e jo zyrtarët, na predikohej etikë. Ata që shanin, i quanin aktivistë. Kur filluan të gjuajnë me vezë, i quanin protestues. Kur shkatërronin makina, e quanin revoltë qytetare. Kur filluqn gurët ndja policëve, quhej proporcionalitet. Kur bllokojnë rrugët e dhunojnë qytetarë, quhet demokraci.

Si ka mundësi që gjithmonë gjendet një justifikim për dhunuesin?!

Tani pyes: duhet të dhunohet fizikisht Iris Luarasi që shoqëria të bindet se sharjet publike ishin dhunë? Duhet të presim viktimën e radhës që të kuptojmë se dhuna nuk lind në momentin kur ngrihet grushti, por shumë më herët, kur normalizohet gjuha e urrejtjes?

Jo.

Nuk ka asnjë arsye që qytetari i zakonshëm të ketë më pak dinjitet se një deputet, një ministër apo një figurë publike. Kush shan një qytetar, ushtron po aq dhunë sa kur shan një politikan. Dinjiteti nuk matet me mandatin.

Dhe po, kur dikush të shan publikisht, ai ka hequr dorë i pari nga etika. Nuk mund të kërkojë pastaj imunitet moral për veten. Kush zgjedh sharjen si armë, nuk mund të ankohen kur merr përgjigje. Respekti është marrëdhënie reciproke, jo privilegj i dhunuesit.

Kush më shan, është i sharë!

Prandaj unë nuk kam pranuar dhe vijoj ti refuzoj leksionet etike nga militantët e dhunës. Nuk i hapet rruga asnjë budallai që mendon se mund të terrorizojë këdo me fyerje, linçim e kërcënime dhe pastaj të paraqitet si viktimë kur i kthehet përgjigjja.

Në e kuptoftë shteti, policia e drejtësia këtë gjë do jetë mirë për bashkëjetesën paqësore në shoqëri. Por në çdo rast e përsëris: kush më shan, është i sharë!

Revolucioni i flamingove nuk dështoi sepse i munguan idetë. Dështoi sepse zgjodhi dhunën si gjuhë. Dhe historia tregon se çdo revolucion që fillon me urrejtjen, përfundon duke ngrënë vetveten.

Dhuna nuk është vetëm plumbi. Dhuna është edhe fjala që përgatit plumbin.