Na ndiqni edhe në

Bota

Debat i ashpër në Bundestag, Merz sulmon AfD-në: Jeni forcë shkatërruese për Gjermaninë

Debat i ashpër në Bundestag, Merz sulmon AfD-në: Jeni

Kancelari gjerman Friedrich Merz është përplasur ashpër në Bundestag me lideren e Alternativës për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, pas rezultatit historik të partisë së djathtë në zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhalt.

AfD fitoi rreth 44% të votave, ndërsa konservatorët e Merz pësuan një rënie të fortë. Megjithatë, partisë i munguan tri mandate për të siguruar shumicën absolute dhe mbetet e paqartë nëse do të mund të formojë qeverinë e landit.

Gjatë debatit parlamentar, Weidel deklaroi se rezultati tregonte dështimin e qeverisë së Merz dhe se koha e tij në pushtet kishte përfunduar.

Merz iu përgjigj duke e cilësuar AfD-në një “forcë shkatërruese” dhe kritikoi ashpër politikën e saj për emigracionin dhe të ashtuquajturin “riemigrim”. Sipas kancelarit, zbatimi i një politike të tillë ndaj miliona njerëzve me origjinë emigrante do të kishte pasoja të rënda për ekonominë dhe shërbimet në Gjermani.

“Nëse do të ishte në dorën tuaj, asnjë azil, spital apo restorant nuk do të mund të funksiononte”, deklaroi Merz, duke theksuar se një në gjashtë punonjës të kualifikuar në Gjermani ka prejardhje emigrante.

Rezultati në Saksoni-Anhalt është konsideruar një zhvillim i rëndësishëm për politikën gjermane. Asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka marrë pushtetin në ndonjë prej 16 landeve të Gjermanisë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Fitorja e AfD-së u përshëndet edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi rezultatin si një “natë shumë të madhe” për partinë populiste gjermane./dritare.net