Na ndiqni edhe në

Sport

Nga Mbappé te Yamal dhe Kane/ Zbulohen kandidatët për Topin e Artë 2026

Londra do të jetë këtë vit kryeqendra e futbollit botëror. Më 26 tetor do të zhvillohet ceremonia e Topit të Artë 2026, ku do të shpallen futbollistët më të mirë të sezonit në kategorinë e meshkujve dhe femrave.

Edicioni i këtij viti do të jetë historik. Për herë të parë ceremonia largohet nga Parisi për t'u zhvilluar në Londër, ndërsa Topi i Artë feston 70-vjetorin e krijimit të tij.

Zgjedhja e kryeqytetit britanik nuk është e rastësishme. Ceremonia do të zhvillohet në Angli si homazh për Sir Stanley Matthews, futbollistin anglez që në vitin 1956 u bë fituesi i parë i Topit të Artë.

France Football ka nisur këtë të martë publikimin e kandidatëve për çmimet e edicionit 2026, me 30 futbollistë dhe 30 futbolliste në garë për trofetë kryesorë.

Mes emrave të mëdhenj në garën e meshkujve janë Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé, Lamine Yamal, Harry Kane, Rodri, Erling Haaland, Vitinha, Achraf Hakimi dhe Khvicha Kvaratskhelia.

Një nga emrat që po merr vëmendjen më të madhe është Harry Kane. Sulmuesi i Bayern Munich shihet si një prej pretendentëve të fortë për trofeun pas një sezoni shumë të mirë me klubin gjerman dhe paraqitjeve me kombëtaren angleze.

Në garën për çmimin më prestigjioz individual është edhe Lamine Yamal, ndërsa Kylian Mbappé mbetet një tjetër prej emrave kryesorë që synojnë trofeun.

Fituesi në fuqi te meshkujt është Ousmane Dembélé, i cili triumfoi në vitin 2025 pas sezonit të tij me Paris Saint-Germain dhe tashmë kërkon ta mbrojë kurorën.

Gara nuk përfundon me Topin e Artë. Në Londër do të ndahen edhe çmimet për talentet e rinj, portierët, trajnerët dhe klubet më të mira të vitit.

Për çmimin e trajnerit më të mirë te meshkujt janë nominuar Mikel Arteta, Luis de la Fuente, Unai Emery, Vincent Kompany dhe Luis Enrique.

Ndërkohë, Arsenal, Bayern Munich, Bodø/Glimt, Flamengo dhe Paris Saint-Germain janë pesë kandidatët për çmimin e klubit më të mirë të vitit në futbollin e meshkujve.

Në kategorinë e femrave, Barcelona, Bayern Munich, Club América, Manchester City dhe Lyon janë në garë për çmimin e klubit të vitit.

Të gjithë fituesit do të mësohen më 26 tetor në Londër, në një mbrëmje që shënon 70 vjet nga dhënia për herë të parë e Topit të Artë./dritare.net