Alarm për konsumatorët! AKU: Sallami “Galbanetto” te Conad me risk serioz për shëndetin
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka paralajmëruar konsumatorët shqiptarë për një produkt ushqimor të importuar në vend, pas një sinjalizimi të mbërritur përmes sistemit europian të alarmit, RASFF.
Bëhet fjalë për produktin “SALAME GALBANETTO G230 c.a”, në të cilin është konstatuar prania e një trupi të huaj. Autoritetet italiane e kanë klasifikuar rastin si “risk serioz” për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas të dhënave të alertit me numër reference 12364615, produkti i prekur i përket lotit L.264173, me datë skadence 23/10/2026.
Produkti është eksportuar nga kompania Conad në Itali dhe ka mbërritur në tregun shqiptar përmes Conad Albania.
Pas përfshirjes së Shqipërisë në njoftimin zyrtar të RASFF, AKU u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë këtë produkt ose e kanë ende në banesat e tyre që të mos e konsumojnë.
AKU u kërkon qytetarëve që produktin ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë, duke shmangur konsumimin e tij deri në sqarimin e plotë të rastit.