Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Alida Hisku këndon pas 52 vitesh këngën e kompozuar nga Enver Shëngjergji! Ja çfarë i shkroi ai

alida (1).jpg

Vetëm 16 vjeçe, Alida Hisku do të ngjitej në skenën e Festivalit të 13-të të Këngës në RTSH dhe do të shënonte një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj. Ishte viti 1974 kur këndoi “Vajzat e fshatit tim”, me muzikë të Enver Shëngjergjit dhe tekst të Zhuliana Jorganxhi duke fituar çmimin e parë.

Një vit më parë, Hisku kishte tërhequr vëmendjen në Festivalin e 12-të, ku kishte dubluar Vaçe Zelën me këngën “Agim i kuq”. Vajza energjike, me zërin karakteristik dhe mënyrën e veçantë të interpretimit, po kthehej në një nga emrat e rinj më premtues të muzikës shqiptare.

Por ishte “Vajzat e fshatit tim” ajo që do ta lidhte përgjithmonë emrin e saj me historinë e Festivalit.

Në intervistën për emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV, Hisku tregoi edhe historinë që fshihet pas këngës. Sipas rrëfimit të saj, kompozitori Enver Shëngjergji e takoi dhe i kërkoi ta interpretonte këngën, pasi kishte mbetur pa këngëtare.

“Alida, a ma këndon ti, se më mbeti kënga?”, kujton Hisku kërkesën e Shëngjergjit.

Ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Pranoi dhe ajo këngë që kishte mbetur pa interpretuese do t’i sillte pak më vonë çmimin e parë.

Edhe mënyra se si e mësoi fitoren është një histori më vete.

“Mbarova këngët unë të tëra, u zhvesha… Do ikja në shtëpi”, rrëfen Hisku në Dekalog.

E bindur se për të festivali kishte përfunduar, ajo ishte nisur të largohej. Por te porta e ndaluan dhe i thanë se e kërkonin përsëri. U kthye, e veshën sërish dhe e çuan pas skene, pa i treguar se përse.

Pak më vonë dëgjoi emrin e saj:

“Çmimi i parë, Alida Hisku”.

Emocioni ishte aq i madh, sa 16-vjeçarja e kishte të vështirë të niste përsëri këngën që sapo ishte shpallur fituese.

“Nuk dija të filloja këngën. Më vjen Ferdinand Deda dhe ma bënte me kokë”, kujton Hisku.

Pas atij suksesi, jeta dhe karriera e saj do të merrnin një tjetër drejtim. Artistja që po ngjitej me shpejtësi në skenën shqiptare u përball më vonë me ndalimin për të kënduar dhe pasojat që, sipas rrëfimit të saj në “Dekalog”, nisën edhe nga vjedhja e ditarit të saj. Ajo tregon vitet e vështira që pasuan, punën në turnin e tretë, jetën me dy fëmijë të vegjël dhe më pas largimin drejt Gjermanisë, ku iu desh të ndërtonte një jetë të re.

Por zëri dhe këngët e saj mbetën te publiku.

Në studion e “Dekalog”, ajo interpretoi sërish live “Vajzat e fshatit tim”, këngën që e kishte kënduar 16 vjeçe dhe që i kishte dhënë çmimin e parë në vitin 1974.

Interpretimi pas më shumë se gjysmë shekulli nuk kaloi pa u vënë re as nga vetë autori i muzikës.

Enver Shëngjergji, një nga kompozitorët e njohur të muzikës shqiptare dhe autori i dhjetëra këngëve gjatë një karriere shumëvjeçare, është pikërisht njeriu që kompozoi “Vajzat e fshatit tim”. I lindur në Tiranë më 1948, Shëngjergji kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe ishte edhe pedagog i këtij institucioni. Në krijimtarinë e tij mbajnë firmën këngë të njohura si “Mbrëmja e fundit”, “Vajzat e fshatit tim”, “Nën kurorën e ullirit” dhe “Lulet e mollës”.

Pasi pa videon e Alida Hiskut duke interpretuar sërish këngën në “Dekalog”, kompozitori i la një koment që e ktheu historinë më shumë se pesë dekada pas:

“Më kënaqe, po ai vokali si para 50 e ca vitesh”, komentoi Enver Shëngjergji.

WhatsApp Image 2026-09-10 at 1.22.54 PM.jpeg

Nga skena e Festivalit të vitit 1974 te studioja e “Dekalog” 52 vjet më vonë, Alida Hisku e këndoi edhe një herë këngën që shënoi rininë dhe karrierën e saj. Mes dy interpretimeve qëndron një jetë e tërë: suksesi, dënimi, vitet e vështira, largimi nga Shqipëria dhe rikthimi.